Please enter at least 3 characters.

Disa ide për rininë

Ndërsa mbi 60% e popullsisë në Republikën e Kosovës janë të rinj dhe për këtë ne jemi vendi me popullsinë më të re në moshë në rajon dhe në tërë Evropën, ne jemi më të privuarit nga bashkëmoshatarët tanë fqinjë. Ende duhet të presim në radhë të gjata për të aplikuar për një vizë, ndërsa fqinjët tanë tashmë e kanë të tejkaluar këtë problem.

Derisa për shtetet fqinje janë liberalizuar vizat, për vendin tonë kjo mund te ndodhë vetëm pas dy deri në pesë vite, sigurisht nëse kemi fat. Vendi mbetet të jetë si vrima e zezë e Evropës. E imagjinoni ç’do të thotë të jesh vendi i vetëm pasaportat e të cilit kontrollohen në kufijtë e Evropës, hapur për të gjithë të tjerët?

Fatkeqësisht, ky nuk është problemi i vetëm më të cilën ne përballemi çdo ditë. Lista e shqetësimeve të të rinjve kosovarë është shumë e gjatë! Çdo vit tregut të punës në Kosovë i shtohen mbi 30.000 të rinj, pjesa më e madhe e të cilëve në pamundësi për të gjetur një punë të dinjitetshme i’u bashkëngjiten grupit të të papunëve.

Pra, çështje tjetër shumë shqetësuese për të rinjtë është edhe niveli i lartë i papunësisë tek te rinjtë. Kjo vjen sigurisht si rezultat i mungesës së një vizioni të qartë qeveritarë për zhvillimin ekonomik dhe punësimin e të rinjve.

Po sa mendon shteti për këto shqetësime? Cili është vizioni i shtetit? Po i referohem një të dhëne – buxheti për rininë në qeverinë qendrore dhe komuna.

Shpërndarja e buxhetit, sikur në nivelin qendror, e fatkeqësisht edhe nëpër komunat e Kosovës është në disfavor për zhvillimin dhe integrimin e rinisë. Qeveria e Republikës së Kosovës për vitin 2010 ka paraparë që për rininë, konkretisht për departamentin i cili merret me çështjet e rinisë janë ndarë vetëm 625.125 euro, që i bie pak më shumë se 50 cent për kokë të riu.

Fatkeqësisht, këto mjete të ndara për rini nuk sigurojnë as fillimin e implementimit të Ligjit për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë, i cili përkundër mangësive të mëdha është miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Por as në planifikimin buxhetor për vitet vijues 2011 dhe 2012 parashikimet nuk janë më pozitive. për vitin 2011 për rini janë paraparë 650 130 euro, ndërsa për vitin 2012 janë paraparë vetëm 676.135 euro.

Derisa jemi tek buxheti dhe shpërndarja e tij, as në komunat tona si nivel lokal i qeverisjes nuk i jepet prioritet rinisë dhe përkrahjes së saj. Sa për krahasim kemi marrë disa komuna dhe i kemi krahasuar dy linja buxhetore të tyre, buxhetin për zyrën e Kryetarit të komunës dhe buxhetin për Kulturë, Rini dhe Sport.

Shembujt

Në komunën e Pejës për zyrën e Kryetarit për vitin 2010 është paraparë buxhet në vlerë prej 817.268 euro, ndërsa për Kulturë, Rini dhe Sport janë paraparë vetëm 355.143 euro. Në komunën e Gjakovës për zyrën e Kryetarit për vitin 2010 është paraparë buxhet në vlerë prej 277.500 euro, ndërsa për Kulturë, Rini dhe Sport janë paraparë vetëm 281.736 euro.

Në komunën e Drenasit për zyrën e Kryetarit për vitin 2010 është paraparë buxhet në vlerë prej 101.833 euro, ndërsa për Kulturë, Rini dhe Sport janë paraparë vetëm 92.389 euro.

Në komunën e Suharekës për zyrën e Kryetarit për vitin 2010 është paraparë buxhet në vlerë prej 147.286 euro, ndërsa për Kulturë, Rini dhe Sport janë paraparë vetëm 66.205 euro.

Në komunën e Deçanit për zyrën e Kryetarit për vitin 2010 është paraparë buxhet në vlerë prej 56.436 euro, ndërsa për Kulturë, Rini dhe Sport janë paraparë vetëm 45.623 euro, kurse konkretisht për përkrahje të rinisë janë paraparë vetëm 4.209 euro.

Andaj, me qëllim të forcimit dhe avancimit të rolit të rinjve si resurs e jo si problem, duhet të bëhet prioritet krijimi i një platforme zhvillimore për të rinjtë. Çështjet e të rinjve duhet të jenë pjesë e secilës politikë dhe strategji në të gjitha institucionet shtetërore të nivelit qendror dhe lokal.

Reforma të thella duhet të bëhen edhe në sistemin edukativo arsimor me qëllim të krijimit të kuadrove të aftë dhe kompetentë që i përgjigjen kërkesave të tregut. Sidomos në procesin e integrimeve rajonale dhe evropiane nuk është avantazh fuqia punëtore e pakualifikuar por kuadrot e rinj të pajisur me shkathtësitë dhe njohuritë që kërkohen në tregun e brendshëm dhe atë rajonal.

Vizioni i AKR-së

Çështjet që ndërlidhen me avancimin dhe perspektivën e të rinjve duhet të përfshihen ne të gjitha strategjitë zhvillimore të Qeverisë me qëllim të sistemimit dhe integrimit të tyre përbrenda vendit. Për Aleancën Kosova e Re çështjet që ndërlidhen me të rinjtë vazhdojnë të jenë ndër prioritetet kryesore në agjendë dhe do të demonstrohen:

• Duke informuar të rinjtë për të drejtat dhe mundësitë e tyre
• Duke organizuar në vazhdimësi aktivitetet për të rinjtë
• Duke inkurajuar të rinjtë të marrin pjesë në proceset vendimmarrëse në të gjitha institucionet
• Duke siguruar përfshirjen e të rinjve veçanërisht procesin e implementimit të strategjive dhe planeve të veprimit
• Duke siguruar përfshirjen e të rinjve në krijimin e infrastrukturës ligjore që adreson çështjet e të rinjve, sidomos në fushën e arsimit
• Duke krijuar fondacione për dhënien e bursave për studime jashtë vendit
• Duke krijuar mundësi për aktivitete të përbashkëta që kanë për qëllim shkëmbimin e njohurive dhe përvojave me të rinjtë e vendeve të rajonit dhe Evropës
• Duke krijuar fondacione për përkrahjen e iniciativave të ndryshme të të rinjve.