Dikur shihej si pasuesi i Lionel Messit, tani po shkëlqen te Monaco - Barcelona vendos për Ansu Fatin
Ansu Fati duket se më në fund po e gjen veten pas vitesh të vështira me lëndime, por e ardhmja e tij pritet të mbetet larg Barcelonës – të paktën sipas raportimeve të fundit nga mediat spanjolle.
Sulmuesi, që dikur u konsiderua si pasuesi i Lionel Messit dhe trashëgoi fanellën me numrin 10, u pengua rëndë nga problemet në gju. Lëndimet ia prenë hovin dhe, pavarësisht huazimeve të njëpasnjëshme, nuk arriti të rikthehej në nivelin që premtoi në fillim të karrierës.
Megjithatë, këtë sezon te Monaco ai ka treguar shenja të qarta ringritjeje: 11 gola në 28 paraqitje, shifra që dëshmojnë se ka fituar më shumë vazhdimësi – diçka që i kishte munguar prej kohësh. Forma e mirë e ka rikthyer edhe te ëndrra për Kupën e Botës, ndonëse nuk është ftuar në kombëtare që nga tetori i vitit 2023 dhe konkurrenca (sidomos për rolin e “numrit 9”) mbetet e hapur, por e vështirë.
Raporti shton se synimi i Ansu Fatit është të rikthehet te Barcelona dhe të provojë të fitojë sërish vend, madje duke u përmendur si një nga kandidatët që mund të zëvendësojë Robert Lewandowskin nëse polaku largohet. Ai e ka rinovuar kontratën deri në vitin 2028 dhe dëshira e tij është ta përmbushë atë.
Por Barcelona ka plane të tjera Nga ana tjetër, raportimet nga “Catalunya Radio”, të konfirmuara edhe nga Fabrizio Romano, bëjnë të ditur se drejtuesit e Barcelonës preferojnë ta shesin përfundimisht lojtarin, pasi nuk e shohin si pjesë të projektit të tyre.
Edhe pse performancat e tij te Monaco kanë qenë pozitive, në klub besohet se ai nuk ka të ardhme në “Camp Nou” dhe se një transferim i përhershëm mund t’i sillte Barcelonës të ardhura të rëndësishme.
Një element kyç në këtë vendim është edhe paga e Ansu Fatit, e cila konsiderohet ndër më të lartat në skuadër. Barça kërkon ta largojë për të ulur shpenzimet dhe për të liruar hapësirë në buxhetin e pagave.
Marrëveshja e huazimit përfshinte një opsion blerjeje prej 11 milionë eurosh, të cilin Monaco raportohet se është e gatshme ta aktivizojë. Megjithatë, nëse Fati dëshiron të qëndrojë në Principatë, ai do të duhet të pranojë një ulje të ndjeshme të pagës, pasi aktualisht ajo është shumë më e lartë se standardi i ekipit.
Në ditët dhe javët në vijim pritet të jetë më e qartë nëse Ansu Fati do ta pranojë një kompromis financiar për të vazhduar te Monaco, apo do të insistojë në rikthimin e tij te Barcelona – edhe pse sinjalet nga “Camp Nou” nuk janë inkurajuese./Telegrafi/


