Please enter at least 3 characters.

Dikur ishin miq të mirë, sot armiq - Trump për kongresisten republikane: Shoh një grua të çmendur që vetëm ankohet

Presidenti amerikan, Donald Trump nuk do ta përkrah më kongresisten republikane, Marjorie Taylor Greene, pas thirrjes së saj për publikimin e dosjeve të pedofilit Jeffrey Epstein.

Në një mesazh në rrjetin social, Trump e përshkroi Greenen si “Wacky Marjorie” dhe tha se do të mbështesë ndonjë sfidues të saj në zgjedhjet e ardhshme, “nëse personi i duhur kandidohet”.

"Po tërheq mbështetjen time për përfaqësuesen Marjorie Taylor Greene", shkroi Trump në një postim në platformën Truth Social.

“E tëra çfarë shoh ‘të çmendurën’ Maggie duke bërë është të ANKOHET, ANKOHET, ANKOHET”, pohoi ai.

Në reagimin e saj, Greene shkroi “presidenti Trump sapo më sulmoi dhe gënjeu për mua… Është qesharake sa fort po lufton për të ndaluar publikimin e dosjeve të Epstein që ai të arrijë këtë nivel”.

Trump e karakterizoi çështjen e dokumenteve si një “mashtrim”, duke akuzuar demokratët se po i përdorin për të zhvendosur vëmendjen nga mbyllja katastrofike e qeverisë.

Ndryshe, Trump dhe Epstein njiheshin që nga vitet ’90 dhe frekuentonin të njëjtat rrethe shoqërore e ngjarje në Palm Beach. Trump mohon çdo përfshirje në krimet e Epsteinit dhe thotë se u distancua prej tij vite para arrestimit. /Telegrafi/