Please enter at least 3 characters.

Diçka po zihet...

2016/01/di-ccedil-ka-po-zihet_hd.jpg

Kulmi ndodhi në duel me rumunët e Craiovas në kryeqytet, ku pritej fitore e thellë, por ku prishtinasit treguan të gjitha të metat e tyre dhe në fund humbja ishte e pashmangshme. Edhe para kësaj ndeshje flitej për pakënaqësitë e basketbollistëve vendorë, veçmas të Alban Veselit e Edmond Azemit, të cilët mendojnë se meritojnë më shumë vëmendje. Nuk është i vogël numri i atyre që thonë se edhe dallimi i pagave është shumë i madh dhe kjo ndikon në paraqitjen e tyre.

Burime e gazetës bëjnë me dije se Edmond Azemi nuk paguhet më shumë se 2000 euro, ndërkohë që basketbollistët e huaj paguhen deri në 8000 euro. “Të gjithë janë të kënaqur me pagesë pasi marrin aq sa meritojnë. Sa i përket formës, nuk shkon gjithnjë tempi i njëjtë, orari është i ngjeshur dhe kemi ndeshje të shpeshta, por jam i bindur se shumë shpejt do t’i kthehemi lojës sonë. Alban Veseli nuk është përshtatur në kërkesat e trajnerit gjatë stërvitjeve dhe kjo është e tëra”, tha Edis Kuraja, drejtor sportiv i Sigal Prishtinës. Mirëpo, nuk mendojnë të gjithë njëjtë.

“Në kohën kur unë e drejtoja klubin, kisha vërejtje se nuk e bëja shumë diferencën në paga nga basketbollistët e huaj dhe vendorët, pasi dallimi nuk ishte më shumë se 10 %. Kurse tani dallimi është shumë i madh dhe kjo nuk ka se si të mos sjell pakënaqësi”, tha Ismet Rexhepi, dikur drejtuesi i klubit më të suksesshëm në basketbollin kosovar. Sipas tij, “tani Sigal Prishtina kërkon vetëm rezultate e jo diçka tjetër, dhe në këtë situatë trajnerit i interesojnë lojtarët e gatshëm, sidomos të huajt, derisa askush nuk brengoset për vendorët dhe të ardhmen e klubit.

Për mua është e pakuptimtë që të lihet anash një lojtar si Edmon Azemi, nga i cili skuadra nuk guxon të heq dorë pasi i jep energji klubit në çdo aspekt. Edhe me Alban Veselin duhet të qartësohet situata dhe nëse ai nuk i duhet skuadrës, duhet liruar e jo të mbetet peng dhe të mos paraqitet në ndeshje”. Cilësinë e Sigal Prishtinës nuk e mohon as Blerim Krasniqi, tani trajner i Kastriotit të Ferizajt.

“Sigal Prishtina ka 15 basketbollistë nga të cilët edhe pesëshja e fundit do të konkurronte për play off në ETC Superligë. Mirëpo, në ndeshjet e fundit, forma e kësaj skuadre nuk është stabile dhe pavarësisht fitores apo humbjes, pakënaqësitë janë gjithnjë e më të shpeshta në këtë skuadër. Kjo ka të bëjë kryesisht me faktin se basketbollistët vendorë si Veseli e Azemi kanë pak hapësirë gjatë ndeshjes.

Nuk jam kundër të huajve, por nuk jam që në përbërje të ketë 75% të huaj e 25% vendorë, aq më parë kur bëhet fjalë për basketbollistë cilësorë, kontributi i të cilëve është i pamohueshëm. Lojtarët tanë duhet të luajnë më shumë dhe ta shfrytëzojnë Ligën Ballkanike, pasi nesër basketbollistët e huaj shkojnë dhe ne duhet të llogarisim në lojtarët vendorë, të cilët duhet të përfitojnë përvojë nga kjo garë.

Natyrisht se këtu luan rol edhe paga e cila ndikon shumë në qasjen e basketbollistëve në lojë, ndërkohë që dihet se ata që paguhen më shumë duhet ta bëjnë diferencën në lojë”, thotë ish-basketbollisti, Krasniqi. Se çfarë po ndodh me Sigal Prishtinën më së miri e dinë drejtuesit e klubit, por është e qartë se atmosfera në këtë skuadër nuk është si më parë. /Zëri/Telegrafi/