Please enter at least 3 characters.

Diaspora, një pritje më ndryshe

- Diaspora prizrenase, potencial zhvillimor i pashfrytëzuar -

Ngadalë po i afrohemi edhe fundit të sezonit të ardhjes së bashkëqytetarëve në Kosovë. Pas disa ditësh, nuk do të mbetet asnjë evidencë e dukshme nga prezenca e diasporës sonë nëpër qytetet e Kosovës. Edhe një herë, bashkëqytetarët që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit po i përcjellim në një mënyrë të zbehtë.

Pas kaq vitesh promovimi të potencialit ekonomik, politik dhe social të diasporës, ende kemi mbetur në nivelin e lidhjeve brenda-familjare me qytetarët që jetojnë jashtë vendit. Asesi të gjejmë forma të rritjes dhe zgjerimit të bashkëpunimit dhe partneritetit me diasporën tonë, në mënyrë që potenciali i tyre të shfrytëzohet maksimalisht për t’i inkuadruar ata në procese zhvillimore të vendit tonë. Megjithatë roli i diasporës në mirëqenien ekonomike të familjeve të tyre në Kosovë është i pazëvendësueshëm.

Ndikimi dhe kontributi i diasporës në Kosovë është mjaft domethënës, pasi afërsisht shtatëdhjetë përqind e emigrantëve dërgojnë remitanca te familjet e tyre në Kosovë. Çdo e pesta familje në Kosovë pranon remitanca, ndërsa komuna e Prizrenit renditet ndër katër qendrat me më së shumti diasporë dhe pranim të remitancave. Shtatëdhjetë përqind e emigrantëve e vizitojnë Kosovën, duke ndikuar në rritjen e konsumit të përgjithshëm përmes shpenzimeve të bëra gjatë vizitës. Mirëpo, ky nivel i marrëdhënieve tona me diasporën, doemos duhet të rritet dhe të kalojë në një bashkëpunim që prodhon efekte më të mëdha ekonomike.

Përgjatë diasporës, ka perceptime dhe brenga të ngjashme me komunitetin e biznesit në Kosovë, lidhur me klimën e investimeve dhe zhvillimit të afarizmit. Në këtë aspekt, diaspora është mjaft kritike lidhur me korrupsionin dhe praktikat e pavolitshme burokratike në administratë. Diaspora vazhdimisht kërkon përmirësim domethënës të politikave dhe të cilësisë së qeverisjes. Një qeverisje pragmatike lokale në Prizren do të punonte për komunikim më të mirë midis afaristëve prizrenas dhe kosovarë që veprojnë në vende të ndryshme të botës, duke krijuar rrjete të tyre dhe ndërlidhje me asociacionet e biznesit në Prizren dhe me qeverinë lokale.

Qeveria lokale e Prizrenit, neglizhencën e saj ndaj kësaj kategorie dhe këtij potenciali e ka treguar edhe me mosinstitucionalizimin e çështjes së diasporës. Themelimi i një Zyrë për Diasporën në kuadër të Komunës së Prizrenit do të shërbente si pikë reference për të gjitha çështjet që i preokupojnë bashkëqytetarët që jetojnë jashtë vendit, si lehtësime administrative për nxjerrjen e dokumenteve, oferta për investime, informata për aktivitete kulturore, dhe shumë nevoja tjera. Në këtë drejtim themelimi i Agjencisë Lokale për Promovim të Investimeve do të ishte qenësor për informimin e kosovarëve në diasporë për mundësitë e investimeve në komunën e Prizrenit (përmes internetit, buletineve, konferencave, panaireve për promovim të investimeve, kontakteve direkte).

Krijimi i një bazë e të dhënave që do të përfshinte bizneset prizrenase në diasporë do ta ndihmonte qeverinë lokale të Prizrenit për të patur pasqyrë të qartë mbi përbërjen e diasporës sonë. Ndërsa paralelisht, do të duhej të ndërtohej edhe një bazë e të dhënave që do të përfshinte potencialet intelektuale të diasporës, për të mundësuar një komunikim më të mirë mes institucioneve lokale dhe diasporës, me qëllim që ata të angazhohen përkohësisht në qeverisjen komunale, shkollat dhe universitetet e Prizrenit dhe jetën kulturore të komunës.

Një vendosmëri e tillë politike dhe seriozitet institucional për çështjen e diasporës dhe potencialit të saj zhvillimor, kërkon edhe ngritje të nivelit të gatishmërisë së qytetit dhe fshatrave për pritjen e bashkëqytetarëve në sezonin e kthimit dhe vizitave në vend. Një organizim i këtillë do të duhet t’i merrte parasysh nevojat nga më elementaret të diasporës, gjatë qëndrimit të tyre në vend, përfshi çështjet si parkingjet publike dhe private, administratë efikase publike, oferta investive për biznes, aktivitete kulturore dhe zbavitëse, takime të qeverisë lokale dhe shoqërisë civile me bashkëqytetarët në diasporë, etj.

Kemi mbërritur në nivelin e fundit të tolerancës ndaj mosshfrytëzimit të potencialit të diasporës, por edhe të pritjes së paorganizuar ndaj bashkëqytetarëve tanë. Dhe në këtë pikë, ka shumë punë dhe përgjegjësi për një qeveri të shëndoshë lokale, e cila duhet të organizohet si për pritje të diasporës, poashtu edhe për kanalizim të potencialit të tyre investues për qëllime të zhvillimit lokal ekonomik të Prizrenit

(Autori është kandidat për kryetar të Komunës së Prizrenit nga AAK)