Please enter at least 3 characters.

DHTIK shpreh shqetësim për publikimin e të dhënave të bizneseve në ARBK, kërkon ndërhyrje urgjente të institucioneve

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) ka shprehur shqetësim lidhur me publikimin në faqen zyrtare të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) të dokumenteve që, sipas saj, përmbajnë të dhëna të ndjeshme të bizneseve dhe pronarëve të tyre.

Përmes një reagimi publik, DHTIK bëri të ditur se ka pranuar ankesa nga bizneset anëtare lidhur me mundësinë e qasjes së plotë në dokumente si statutet dhe marrëveshjet e shoqërive tregtare, të cilat përmbajnë edhe të dhëna personale të pronarëve dhe personave të autorizuar.

“DHTIK ka pranuar ankesa nga bizneset anëtare lidhur me lejimin e qasjes së plotë në dokumentet si statuti dhe marrëveshjet e shoqërisë, duke përfshirë edhe të dhënat personale të pronarëve dhe personave të autorizuar, të cilat janë të mbrojtura me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, thuhet në reagim.

Sipas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, publikimi i dokumenteve të tilla mund të cenojë konfidencialitetin e marrëdhënieve kontraktuale dhe afariste të bizneseve.

“Publikimi i këtyre dokumenteve me këto të dhëna mund të cenojë konfidencialitetin e marrëdhënieve kontraktuale dhe afariste”, thekson DHTIK.

Në fund, kjo organizatë u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masa të menjëhershme për adresimin e çështjes dhe të sigurojnë llogaridhënie.

“Andaj, DHTIK i bën thirrje institucioneve përgjegjëse për ndërmarrjen e veprimeve urgjente për të adresuar këto çështje, si dhe të kërkohet përgjegjësi nga personat përgjegjës”, thuhet në reagim. /Telegrafi/