Dëshmitari e pa Ivanoviqin në furrë të bukës, ditën e masakrës
Abazi, një 70 vjeçar nga Mitrovica, tregoi se çfarë i ndodhi atij, familjes dhe fqinjëve më 14 prill të vitit 1999, kur në Lagjen e Kovaçëve nga forcat serbe u vranë 24 shqiptarë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit Cezary Michalczuk, Abazi tregoi se e njihte Oliver Ivanoviqin, qëkur tashmë i akuzuari ishte fëmijë.
“Në orën tetë në Lagjen e Kovaçëve, kur kam shku në një furrë të bukës me ble bukë, aty e ka taku Oliverin me rroba civile. Ai ka qenë bashkë me disa ushtarë të uniformuar,” tha Abazi, duke iu përgjigjur pyetjes se a e kishte parë Ivanoviqin ditën e masakrës së 14 prillit.
Oliver Ivanoviq në këtë proces gjyqësor akuzohet për krime lufte më 14 prill 1999 dhe në shkurtin e vitit 2000.
Dëshmitari Abazi, më pas përshkroi ditën e masakrës së kryer para gati 16 vjetësh.
“Atë ditë unë, familja ime dhe një fqinj kemi qenë në shtëpinë e vëllait tim të madh, diku rreth 52 anëtarë. Nga ora 10:00 kur jemi bërë gati për me ngrënë mëngjes, në shtëpi kanë hyrë tre ushtarë të maskuar, të cilët na kanë thanë që të dalim jashtë pasi që e keni lyp NATO-n-gjejeni tash”, tregoi dëshmitari.
Sipas tij, kur i kanë nxjerrë jashtë shtëpisë, i kanë ndarë burrat nga gratë.
“Gjashtë persona meshkuj na kanë mbështet për mur dhe na i kanë kontrollu xhepat, na kanë pyet çka kemi me veti,” tha dëshmitari Abazi.
Pastaj bëri me dije se tre prej këtyre gjashtë personave treguan se kanë marka e dinarë. Këta Abazi tha se u ndanë nga tre burrat tjerë që nuk kishin para.
Abazi sqaroi se ata që nuk kishin para forcat serbe i bashkuan me grupin e grave dhe fëmijëve, duke i nisur me një autobus për në Kukës të Shqipërisë.
Tre të tjerët, në mesin e të cilëve edhe Avni Abazi, djali i dëshmitarit, u vranë dhe u gjetën vetëm pas luftës.
Dëshmitari nuk mundi t’i përmbajë lotët kur tregoi që familjarët pas bashkimit me ta e pyetën: “Ku është Avniu?”
Aktualisht në gjykatën në veri është dhënë pauzë.
Bashkë me Oliver Ivanoviqin në gjykim janë edhe katër persona tjerë- Dragolub Delibashiq - ish polici serb, Ilija Vujaqiq, Nebojsha Vujaqiq dhe Aleksandar Llazoviq.
Oliver Ivanoviqi akuzohet të ketë kryer krime të luftës gjatë vitit 1999. Ai gjithashtu, bashkë me ish-policin serb, Dragolub Delibashiq, akuzohet të ketë kryer vrasje gjatë përleshjeve, të cilat lanë 10 shqiptarë të vrarë dhe shumë të plagosur në shkurt të vitit 2000.
Tre të akuzuar tjerë, Ilija Vujaqiq, Nebojsha Vujaqiq dhe Aleksandar Llazoviq, akuzohen për vrasje dhe tentim vrasje në shkurt të vitit 2000. /kallxo.com/


