Dëm prej 5 mijë eurosh, aktakuzë ndaj drejtorit komunal dhe një operatori ekonomik në Suharekë
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorimi apo mashtrimi në prokurim publik”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri B.B., drejtor i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Suharekës, dyshohet se gjatë periudhës nga 23 shtatori 2019 deri më 20 dhjetor 2021, në cilësinë e menaxherit të kontratës për projektin “Ndërtimi i lapidarit për viktimat e viteve (1912-1945)” në fshatin Samadraxhë, ka tejkaluar kompetencat zyrtare me qëllim që t’i mundësonte përfitim operatorit ekonomik “A.G.” Sh.P.K.
Sipas Prokurorisë, në kuadër të kontratës me vlerë 28 mijë e 650 euro, B.B. ka nënshkruar pagesën prej 5 mijë eurosh sipas situacionit të katërt të kontratës, duke konstatuar se punimet ishin realizuar, edhe pse ato, sipas aktakuzës, nuk ishin kryer në përputhje me kontratën.
Me këto veprime, Komunës së Suharekës dyshohet se i është shkaktuar dëm material prej 5 mijë eurosh, i vërtetuar edhe përmes ekspertizës së ndërtimtarisë.
Ndërkaq, A.M., si person përgjegjës i operatorit ekonomik “A.G.” Sh.P.K., dyshohet se nuk ka zbatuar detyrimet nga kontrata e prokurimit publik dhe ka pranuar pagesën prej 5 mijë eurosh, edhe pse punimet e parapara nuk ishin realizuar sipas kontratës dhe specifikimeve teknike.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të dy të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. /Telegrafi/


