Dehari: Pa marrëveshje politike, s’ka kuptim të thirret seanca konstituive
Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit tw Kosovws, Avni Dehari, ka thënë se nuk mund të japë një përgjigje të prerë nëse seanca do të mbahet, duke theksuar se fillimisht duhet të gjendet një marrëveshje politike për krijimin e institucioneve.
Në një prononcim për KosovaPress, Dehari tha se mbajtja e seancës vetëm për formalitet, pa sjellë rezultat, nuk është në interes të qytetarëve.
“Përderisa nuk ka marrëveshje, pa një marrëveshje nuk ka kuptim të thirret seanca. Unë nuk mundem me thënë sa prerë se nuk do të mbahet, po do të ishte mirë të gjendet një marrëveshje që t’i krijojë institucionet, jo të mbahen seancat për formalitet. Ne nuk jemi të interesuar vetëm të shohim që po mbahet një seancë, jemi të interesuar që vendi të ketë institucione, të mos shkohet në zgjedhje. Varet krejt prej bisedimeve. Nëse ka vullnet, zgjidhja është shumë e lehtë, shumë e mundur, të merren vesh për presidentin e Kosovës”, u shpreh Dehari.
I pyetur nëse mosrespektimi i afateve përbën shkelje të Kushtetutës, Dehari tha se afatet duhet të respektohen, por sipas tij, në mungesë të pasojave, më mirë është që seanca të shtyhet dhe të gjendet një zgjidhje.
“Do të ishte mirë të respektohen afatet, mirëpo nëse nuk ka pasoja, nuk e kam fjalën që pse s’ka pasoja, edhe tash mos t’i respektojmë ato. Po derisa nuk ka pasoja, ma mirë është të shtyhet seanca, të gjendet një zgjidhje, sesa të mbahet seanca e të mos sjellë kurrfarë rezultati. Po të merren vesh, kryhet shumë lehtë”, tha ai.
Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar, pasi në dy tentimet e deritanishme nuk është arritur të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe të përmbyllet procesi i konstituimit të Legjislaturës së 11-të.
Seanca konstituive po vazhdon të jetë në qendër të përplasjeve mes partive parlamentare, ndërsa dështimi për formimin e institucioneve po e zgjat krizën politike në vend.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar kohë për arritjen e një marrëveshjeje politike, në përpjekje për t’i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja, ndërkohë që deputetët pritet të rikthehen sërish në përpjekje për konstituimin e Kuvendit, në një proces që është kusht për formimin e institucioneve të reja të Kosovës. /Telegrafi/


