Please enter at least 3 characters.

Debate në Parlament për vrasjen e gjyqtarit, Bardhi kërkon dorëheqjen e ministres

Këtë të enjte, Kuvendi nisi punimet me një minutë heshtje në nder të gjyqtarit të vrarë në sallën e gjyqit.

Ndërsa kërkuan edhe dorëheqjen e ministres së Brendshme, deputetët e opozitës Gazment Bardhi dhe Ina Zhupa u përfshinë në një debat me ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, si dhe me kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Ballën, pasi gjatë fjalës së tyre kërkuan llogari për mungesën e masave të sigurisë në gjykata.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, kërkoi dorëheqjen e ministres së Brendshme, Albana Koçiu.

“Kjo seancë duhej të ishte hapur me dorëheqjen e Ministres së Brendshme. Është e papranueshme që një gjyqtar të vritet në sallën e gjyqit, teksa lexon vendimin e tij gjyqësor. Ministrja gënjeu publikisht kur tha se Policia e Shtetit nuk ka detyrime për të garantuar sigurinë në institucionet e drejtësisë. Sipas ligjit, është detyrë e Policisë së Shtetit të garantojë sigurinë në këto institucione. KLGJ e nxori zbuluar Ministren, kur publikoi shkresat që kërkonin ndihmën e Policisë.Kjo çështje nuk mund të kalojë si një ngjarje dite apo jave. Ministrja e Brendshme duhet të japë dorëheqjen. Kryeministri duhet të japë shpjegime për masat e sigurisë në gjykata”, tha Bardhi.

Në përgjigje të kërkesës së Gazment Bardhit për dorëheqjen e ministres së Brendshme, foli, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari i cili deklaroi se është e rëndë të bësh politikë mbi vrasjet.

Lamallari akuzoi opozitën për përdorim të gjuhës së urrejtjes ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Ju duhet t’ju vijë turp,” tha ai.

“Të bësh politikë me vrasjen dhe me një rast tragjik, të bësh retorikë politike mbi një ngjarje të tillë, është e rëndë. Ende nuk janë bërë të shtatë [ditët e zisë]. Keni përgjegjësi për gjithë gjuhën denigruese që keni përdorur — nga daljet në ballkon, nga sharjet dhe telendisjet ndaj SPAK dhe ‘SKRAP’, çdo të hënë, nga ‘Altin Dumanit’ te ‘Altin Troplini’. Këto janë akuzat dhe gjuha e urrejtjes që keni nxitur ndaj gjyqësorit. Keni ndërsyer militantët. Mos bëj zhurmë — unë flas këtu si përfaqësues i institucioneve të drejtësisë. Nuk keni lënë prokuror pa sulmuar, keni anatemuar partnerët strategjikë, ambasadorin e SHBA-së, të BE-së, vetëm sepse mbështesin reformën në drejtësi. Dhe sot keni gojë të flisni? Çfarë është kjo? S’keni turp! Prandaj ju kanë lënë shqiptarët aty ku ju kanë lënë,” tha Lamallari.

Bardhi iu përgjigj ashpër Lamallarit, duke e quajtur atë “i pafytyrë”.

Edhe deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, iu kthye ashpër ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, pas debatit për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit.

“Turp të të vijë ty që sot këtu po bën avokatin e një vrasësi! Turp që, si zëvendësministër i Brendshëm, nuk iu përgjigje thirrjes për ndihmë që të bëri KLGJ. Turp që sot nuk mban asnjë përgjegjësi, bashkë me kolegen tënde, për vrasjen e gjyqtarit që po jepte vendim në emër të Republikës së Shqipërisë! Kur Policia e Shtetit thotë se nuk ka kapacitet për të mbrojtur një gjyqtar, çfarë kapaciteti keni ju për të garantuar jetën e qytetarëve shqiptarë?Sot je promovuar pikërisht për këto dështime dhe për këtë papërgjegjshmëri ndaj sigurisë së qytetarëve! Këto janë rezultatet e ‘reformës në drejtësi’ që përmend ti? Jo, këto janë rezultatet e keqqeverisjes suaj, që nuk dërgon as policë për të mbrojtur gjyqtarët e shtetit. Ju keni tejkaluar çdo kufi, edhe ato që shihen vetëm në filma, sepse Shqipëria sot nuk ofron as sigurinë më minimale. Të dy jeni skandalozë me qëndrimet që mbani. Të dy duhet të jepni dorëheqjen”, u shpreh Zhupa.

Po ashtu deputetja e PD-së, Jozefina Topalli, e ka konsideruar vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja si një goditje të rëndë ndaj shtetit. Sipas saj, me këtë ngjarje është vrarë iluzioni se në Shqipëri ekziston shteti.

“Mendoj se vrasja e gjyqtarit në zyrën e tij është e paprecedentë. As kartelet e Ekuadorit nuk kanë vrarë një gjyqtar në zyrën e tij, teksa lexonte vendimin. As mafia italiane nuk e ka bërë këtë. Minimumi që mund të bëjmë si Parlament është të nisim një moment reflektimi kombëtar. Relativizimi që i bëhet kësaj vrasjeje është një alarm i madh për të gjithë, për të gjithë shtetin. Por në një vend që ka ministri dhe nuk ka shtet, ka ligje dhe nuk ka drejtësi, në një vend ku presidenti nuk respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese — çfarë emri t’i vëmë kësaj? Me vrasjen e gjyqtarit, në vendin tonë është vrarë iluzioni se në këtë vend ka shtet. Nëse nuk reflektojmë, ky vend do të shkojë në humnerë,” u shpreh Topalli.

Ndërsa kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, tha se Rregullorja e Kuvendit nuk parashikon mundësinë për të kërkuar dorëheqjen e një ministri ndërsa kërkoi largimin nga seanca të gazment Bardhit me arsyen se ka fyer Ministrin e Drejtësisë Lamallari.

“Zoti Kryetar i Kuvendit u bë seanca e disatë radhazi, por sot po arrin kulmin që kërkohet fjala për procedurë, dhe për fatin tonë të mirë që kemi një opozitë pa kokë dhe pa bisht, në procedurë kërkohet dorëheqja e një ministri. Edhe këtë nuk e kishim parë, por e gëzuam sot me ju, që ju paçim sa malet. Dhe tjetra: dëgjova një këtu që kulturën e ka me klering, që i bërtiste ministrit sa herë fliste. Më falni: “O idiot, o idiot.” Ky njeriu këtu nuk ka vend! Zoti Kryetar i Kuvendit, unë kuptoj që zhurma nuk ju linte, por ishte një këtu që i bërtiste ministrit: “O idiot, o idiot.” Çfarë është ky? Tani, ky ose e tërheq prapsht atë që tha dhe kërkon ndjesë ministrit, ose — Zoti Kryetar — kërkoj pesë minuta pushim, ky zotëria të dalë përjashta”, tha Balla. /Euronews/