Please enter at least 3 characters.

Çmenduri në Superligë: Gjilani e prezanton, Ballkani e “rikthen” me kontratë të re – Bleart Tolaj mes dy njoftimeve zyrtare

Një situatë e pazakontë është regjistruar në futbollin kosovar, ku Bleart Tolaj është bërë protagonist i dy njoftimeve zyrtare nga dy klube të ndryshme brenda një kohe shumë të shkurtër.

Fillimisht, SC Gjilani e ka prezantuar Tolajn si futbollistin më të ri të skuadrës, duke njoftuar se lojtari ka nënshkruar pas përfundimit të sezonit dhe do t’i bashkohej projektit të tyre për të ardhmen. Madje prezantimi u bë me fanellën e Gjilanit veshur.


Por vetëm pak më vonë, situata ka marrë një kthesë tjetër, pasi FC Ballkani ka dalë me komunikatë zyrtare, duke bërë të ditur se Tolaj ka rinovuar kontratën edhe për dy vite të tjera me klubin nga Suhareka.

Sipas njoftimit të Ballkanit, sulmuesi vazhdon të jetë pjesë e projektit të tyre, duke theksuar besimin e ndërsjellë dhe rolin e tij në objektivat e klubit.

Në anën tjetër, Gjilani e kishte prezantuar si përforcim të ri për sezonin e ardhshëm, duke krijuar një situatë të pazakontë ku dy klube e kanë bërë “zyrtar” të njëjtin lojtar pothuajse në të njëjtën kohë.


Mbetet të shihet se si do të sqarohet kjo situatë kontraktuale, ndërsa për momentin Bleart Tolaj gjendet në qendër të një prej rasteve më të çuditshme të afatit kalimtar në futbollin kosovar. /Telegrafi/