Cikalleshi: I fal golat për sukseset e Kombëtares
Në profilin e tij si futbollist, sakrifica për fanellën ka mbizotëruar gjithmonë për një rezultat pozitiv, përpara aspektit personal.
“Dihet që Danimarka është një skuadrat më të mira të Europës, ndaj duhet të jemi të gjithë të lumtur për rezultatin e arritur ndaj një gol do ta falja për një rezultat pozitiv të Kombëtares. Një objektiv i imi në këtë takim ishte që të përshtatesha shumë mirë me skuadrën edhe në repartin e mbrojtjes dhe jam shumë i lumtur në aspektin personal që kontribuova në arritjen e një rezultati pozitiv këtu në Danimarkë”, është shprehur fillimisht sulmuesi në prononcimin e tij për TVSH.
Më tej, Cikalleshi është pyetur në lidhje me shanset për kualifikim. Sipas tij, kuqezinjtë kanë menduar ndeshjet njëra pas tjetrës deri në këtë pikë dhe kjo ka bërë që të ketë fokusim te ndeshja e radhës. Gjithashtu, hapat janë hedhur të vegjël, ama të sigurt.
“Kualifikimi? Çdo ndeshje e kemi vlerësuar një nga një dhe kështu duhet të vazhdojmë deri në fund. Tashmë, pas Danimarkës e gjithë vëmendja do ta jetë për përballjen me Portugalinë”, ka shtuar sulmuesi. Edhe pse është një përballje e cila do të luhet shumë shpejt, apo edhe pse është një ndeshje përballë një rivali shumë të fortë për cilësitë që ka, sulmuesi nuk është stepur dhe ka shprehur dëshirën që të mund të tentohet maksimumi dhe të arrihet diçka e tillë në ndeshjen që do të luhet të hënë në “Elbasan Arena”.
“Pavarësisht rivalit që zbresim në fushë ne kemi treguar se jemi një grup që kemi vlera dhe jemi shumë kompakt. Edhe me Portugalinë do të synojmë maksimumin. Normalisht që duhet të kemi kujdes për vetë skuadrën që do të kemi përballë, por do t’i shkojmë deri në fund ëndrrës që kemi nisur”, ka deklaruar Sokol Cikalleshi.


