Cikalleshi flet për sfidat e muajit qershor: Jemi në një grup interesant
Kombëtarja shqiptare ka nisur që prej 26 majit grumbullimin dhe përgatitjet për dy sfidat zyrtare ndaj Islandës dhe Izraelit, të vlefshme për Ligën e Kombeve si dhe miqësoren e 13 qershorit ndaj Estonisë.
Futbollistët po stërviten intensivisht nën drejtimin e trajnerit Reja dhe stafit kuqezi, teksa ditën e sotme, Sokol Cikalleshi dhe Nedim Bajrami kanë dalë në një konferencë për media ku kanë folur në lidhje me këto ndeshje dhe se çfarë objektivash ka ekipi në këtë edicion të ri të Nations League.
Cikalleshi, bomberi i Kombëtares shqiptare i cili ka shpërthyer këtë sezon në Turqi me Koniaspor, teksa iu përgjigj interesit të gazetarëve u shpreh se objektivi i skuadrës është sigurisht vendi i parë, ndërsa analizoi edhe dy rivalët e grupit, Islandën dhe Izraelin.
Cikalleshi theksoi se pika më e fortë e skuadrës shqiptare është grupi dhe harmonia.
Pretendentë për vendin e parë? – Është një grup ku ne do të tentojmë më të mirën, por duhet të kemi parasysh që kemi dy ekipe, që nuk janë me shumë diferencë nga ne. Kemi një fat të vogël që Rusia nuk do të jetë pjesë e grupit dhe do të doja që të përqëndrohemi te ndeshja e parë sepse fillimi i mbarë është gjysma e punës. Islanda ka një grup fizikisht shumë të fortë dhe do jetë një duel fizik në Islandë, ku nëse do tentojmë vendin e parë, duhet të dalim me rezultat pozitiv. Por, besoj se jemi gati. Pothuajse edhe në ndeshjet e fundit miqësore treguam që kemi ecur përpara, por na mungon edhe pak. Ajo pak çka mund të jetë ndonjë gabim apo përqëndrim në ndonjë moment të caktuar. Duke i korigjuar këto, besoj se do kemi mundësi t’i bëjmë tifozët tanë krenarë.
Islanda apo Izraeli, kush është ekip më i fortë? – Janë dy kundërshtarë ndryshe. Islanda është më fizike, kemi pasur ndeshje me ta kohët e fundit. E kemi humbur një dhe kemi fituar këtu. Është një ekip që të vë përpara fizikisht. Do jetë një duel fizik. Izraeli është më teknik si ekip, përqëndrohet te loja dhe mbajtja e topit. Janë kundërshtarë të ndryshëm, por ne kemi treguar që i kemi mundësitë. Kanë disa mungesa, por kjo nuk duhet të na bëjë më pak të përqëndruar, sepse janë ekip i mirë. Por, ndeshja e parë është më e rëndësishme dhe nëse arrijmë të marrim një rezultat pozitiv, do të tentojmë edhe vendin e parë. besoj se Islanda është kundërshtar direkt për ne, pa nënvlerësuar edhe Izraelin. Ndeshja e parë thelbësore për ne.


