Cher kundër nuses së saj, kundërshton që ajo të marrë kujdestarinë mbi djalin e saj: E bën për para dhe famë
Cher i është drejtuar gjykatës në Los Angeles për të kundërshtuar kërkesën e nuses së saj, Marieangela King-Allman, për t’u emëruar kujdestare ligjore e djalit të saj, Elijah Blue Allman.
Elijah, 50 vjeç, aktualisht ndodhet në një spital psikiatrik në New Hampshire, ku po trajtohet ndërsa përballet edhe me probleme ligjore dhe të shëndetit mendor, pas dy arrestimeve në fillim të këtij viti.
Gruaja e tij, Marieangela, 39 vjeç, kishte kërkuar më 18 gusht që të merrte kontrollin ligjor mbi çështjet e tij personale dhe pasurinë. Por Cher e kundërshtoi këtë kërkesë më 28 gusht, përmes avokatit të saj.
Në dokumentet e dorëzuara në gjykatë, Cher pretendon se familja beson se King-Allman po përpiqet të rikthehet në jetën e Elijahut për shkak të parave dhe famës.
Sipas Cher, edhe spitali ku ndodhet Elijah dhe pjesëtarët e tjerë të familjes janë kundër që Marieangela të bëhet kujdestarja e tij.
Një nga arsyet e përmendura është fakti se çifti kishte nisur më herët procedurat e divorcit. Cher gjithashtu pretendon se Marieangela nuk e ka ndihmuar Elijahun dhe kujdestaren e tij, Kayti Pease, gjatë periudhës kur ai po përballej me vështirësi, para se të arrestohej në New Hampshire.
Ndërkohë, spitali psikiatrik kishte kërkuar në muajin korrik që për Elijahun të vendosej një kujdestari ligjore, si për mirëqenien e tij personale, ashtu edhe për administrimin e pasurisë së tij. Sipas dokumenteve të Cher, spitali kishte sugjeruar që këtë përgjegjësi ta merrnin përsipër gjysmëvëllezërit e tij, Chaz Bono dhe Devon Allman.
Seanca gjyqësore që ishte planifikuar të mbahej të martën në Los Angeles u shty deri më 1 dhjetor, pasi Elijah dhe përfaqësuesi i tij ligjor nuk ishin të pranishëm.


