Please enter at least 3 characters.

Chelsea e bën prioritet transferimin e mesfushorit anglez

Chelsea po përgatitet për një verë të ngarkuar në merkato, mes krizës së rezultateve dhe ndryshimeve të vazhdueshme në stol.

Klubi londinez ka vendosur si prioritet kryesor transferimin e mesfushorit anglez Elliot Anderson.

Pas një sezoni të paqëndrueshëm dhe pesë humbjeve radhazi në Ligën Premier, “Blutë” kanë humbur terren në garën për zonën e Ligës së Kampionëve, duke shtuar presionin mbi drejtuesit e klubit dhe duke sjellë ndryshime në pankinë.

Situata e brendshme ka bërë që disa lojtarë të rëndësishëm të jenë në listën e largimeve të mundshme, përfshirë edhe Enzo Fernandez, i cili raportohet se mund të largohet gjatë verës.

Sipas raportimeve të The Sun, Chelsea është i gatshëm të rrisë ofertën deri në rreth 100 milionë euro për Anderson, mesfushorin e Nottingham Forest, duke e konsideruar atë si objektivin kryesor për rindërtimin e mesfushës.

23-vjeçari ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Nottingham Forest këtë sezon, me 2 gola dhe 3 asiste në 43 paraqitje, duke u bërë një figurë kyçe në repartin e mesfushës. Performancat e tij i kanë siguruar edhe një vend të rregullt në përfaqësuesen e Anglisë nën drejtimin e Thomas Tuchel.

Interesi i fortë nga Chelsea vjen në një moment kur konkurrenca për shërbimet e tij është e lartë, ndërsa një paraqitje e mirë në turnetë ndërkombëtarë mund të rrisë edhe më shumë vlerën e tij në treg./Telegrafi/