Please enter at least 3 characters.

Çfarë po bën BE-ja për të përballuar mungesën në rritje të ujit?

Vapa rekord e këtij viti ka përfshirë nga thatësira rreth 38 për qind të territorit të Evropës.

Përdorimi i tepruar i ujit, keqmenaxhimi i burimeve ujore dhe ndotja e liqeneve e lumenjve kanë përkeqësuar më tej stresin ujor në kontinent. Përballë kësaj situate, Bashkimi Evropian po e trajton mungesën e ujit si një nga emergjencat më të mëdha mjedisore.

Sipas Indeksit të Shfrytëzimit të Ujit Plus (WEI+) të Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA), një rajon konsiderohet nën stres ujor kur shfrytëzon 20 për qind të burimeve të rinovueshme të ujërave të ëmbla. Kur kjo shifër arrin në 40 për qind, stresi konsiderohet i rëndë.

Sipas Komisionit Evropian, rreth 30 për qind e popullsisë së Evropës dhe 20 për qind e territorit të kontinentit përballen çdo vit me mungesë uji, shkruan euronews.

Temperaturat e larta të këtyre ditëve po e përkeqësojnë krizën e ujit në Evropë, pasi vala e të nxehtit po than tokat dhe po ul ndjeshëm prurjet e lumenjve.

Pas kësaj situate qëndron një sistem ujor i cili prej vitesh është nën presion të madh. Dekada të tëra ndotjeje, shfrytëzimi të tepruar dhe keqmenaxhimi të burimeve ujore kanë dëmtuar lumenjtë, liqenet dhe rezervat e ujërave të ëmbla, duke e lënë Bashkimin Evropian me gjithnjë e më pak kapacitete për t’iu përgjigjur krizës aktuale të ujit.

Bashkimi Evropian prezantoi Strategjinë për Mungesën e Ujit në qershor të vitit 2025, me synimin për ta bërë Evropën më të qëndrueshme dhe më të përgatitur për përballimin e krizës së ujit. Strategjia synon mbrojtjen e ciklit të ujit, promovimin e një ekonomie që e përdor ujin në mënyrë më efikase, si dhe garantimin e qasjes në ujë të pastër dhe të përballueshëm.

“Uji nuk është më vetëm një investim në mjedis. Ai është një investim në mirëqenien e njerëzve, sigurinë ushqimore të Evropës, shëndetin publik, konkurrueshmërinë ekonomike dhe qëndrueshmërinë. Nëse Evropa investon më pak sesa duhet në ujë sot, pasojat nuk do t’i ndiejnë së pari institucionet, por njerëzit e zakonshëm”, tha Thomas Bajada, eurodeputet nga Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) dhe raportues për Strategjinë për Mungesën e Ujit në Parlamentin Evropian.

Pse po pakësohen burimet ujore të Evropës?


"Stresi ujor" në Evropë është rezultat i një sërë faktorësh, ndërsa një prej tyre është varësia e madhe nga uji për bujqësinë, industrinë dhe prodhimin e energjisë. Kjo ka çuar në shfrytëzimin e tepërt të burimeve ujore dhe ka rritur presionin mbi rezervat natyrore.

Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA) raporton se marrja totale e ujit në Bashkimin Evropian është ulur me 14 për qind nga viti 2000 deri në vitin 2023. Megjithatë, sasia e ujit e shfrytëzuar mbetet e lartë dhe, në shumë zona, tejkalon ritmet natyrore të ripërtëritjes. Si pasojë, janë zvogëluar prurjet e lumenjve dhe rezervat e ujërave nëntokësore, duke lënë gjithnjë e më pak ujë në dispozicion të sistemit.

Presioni po shtohet edhe nga industritë në zhvillim që kërkojnë sasi të mëdha uji, veçanërisht prodhimi i gjysmëpërçuesve dhe qendrat e të dhënave. Këto aktivitete po rrisin më tej kërkesën për ujë në një kohë kur burimet janë tashmë nën presion.

Një mënyrë për të ulur varësinë nga burimet natyrore është ripërdorimi i ujërave të zeza. Megjithatë, Evropa aktualisht riciklon vetëm rreth 2.4 për qind të tyre, duke lënë një potencial të madh të pashfrytëzuar për kursimin dhe menaxhimin më efikas të ujit.

Problemi thellohet edhe nga humbjet në rrjetet publike të furnizimit. Rreth 23 për qind e ujit të trajtuar në Evropë humbet për shkak të menaxhimit të dobët dhe infrastrukturës së vjetëruar, duke reduktuar ndjeshëm sasinë e ujit që arrin te konsumatorët.

“Në të gjithë Bashkimin Evropian, ne ende po humbim sasi të mëdha të ujit të pijshëm të trajtuar përmes tubacioneve të vjetruara, para se ai të arrijë te rubinetat e njerëzve”, paralajmëroi Bajada.

Raporti i EurEau për vitin 2026 tregon një ulje të lehtë të humbjeve të ujit në Evropë, në rreth 23.5 për qind, krahasuar me 24 për qind në anketimin e vitit 2021. Megjithatë, vendet anëtare vazhdojnë të investojnë më pak sesa nevojitet në mirëmbajtjen dhe modernizimin e infrastrukturës së furnizimit me ujë.

Gjermania kryeson për nga investimet, me rreth 9 miliardë euro në vit, e ndjekur nga Franca me 6.5 miliardë euro, ndërsa Sllovenia investon vetëm rreth 100 milionë euro. Sipas Shërbimit Kërkimor të Parlamentit Evropian (EPRS), rritja e urbanizimit dhe migrimit pritet ta shtojë kërkesën për ujë, veçanërisht në Evropën Veriore dhe Perëndimore, duke e bërë edhe më të domosdoshëm modernizimin dhe zgjerimin e infrastrukturës ujore.

Ndërkohë, ndryshimet klimatike po e përshpejtojnë përkeqësimin e situatës. Temperaturat në Evropë po rriten me rreth 0.56 gradë Celsius në dekadë, më shumë se dyfishi i ritmit mesatar global prej 0.27 gradë Celsius, sipas të dhënave të Copernicus, programit të Bashkimit Evropian për vëzhgimin e Tokës.

Thatësira po zgjerohet në Evropë, duke prekur gjithnjë e më shumë toka, pyje dhe sipërfaqe bujqësore. Vetëm gjatë vitit 2024, nga thatësira u prekën rreth 601,193 kilometra katrorë tokë, 33,518 kilometra katrorë pyje dhe 87,567 kilometra katrorë tokë bujqësore. Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA), deri në vitin 2050 pritet që thatësirat të intensifikohen më tej, duke rritur edhe shkallën e avullimit të ujit.

Ndërsa rezervat ujore po pakësohen, ndotja po shton presionin mbi burimet e mbetura, duke ulur sasinë e ujit të pastër dhe të përdorshëm. EEA paralajmëron se ndryshimet klimatike mund të ndikojnë në cilësinë e ujërave nëntokësore përmes ndërveprimit mes ndotjes dhe shfrytëzimit të tepërt të ujit.

“Cilësia e ujërave nëntokësore mund të ndikohet nga ndryshimet klimatike përmes ndërveprimit mes ndotjes dhe shfrytëzimit të tepërt të ujit. Për shembull, nëse një akuifer shfrytëzohet përtej kapacitetit të tij, përqendrimi i lëndëve ushqyese dhe kimikateve mund të rritet, pasi ndotësit do të jenë më pak të holluar”, tha EEA për Euronews.

Strategjia për Mungesën e Ujit

“Strategjia për Mungesën e Ujit ndryshon një gjë shumë të rëndësishme: mënyrën se si mendojmë për ujin”, tha Bajada.

Strategjia synon të garantojë furnizimin afatgjatë të Evropës me ujë përmes më shumë se 50 masave konkrete. Sipas platformës që monitoron zbatimin e tyre, deri tani janë përfunduar vetëm tri masa.

Strategjia fokusohet në reduktimin e shfrytëzimit të tepërt të ujit dhe parandalimin e degradimit të tokës, duke synuar mbrojtjen e sasisë dhe cilësisë së ujit përgjatë gjithë ciklit të tij. Në këtë kuadër, koncepti i “infrastrukturës sfungjer” synon të rikthejë aftësinë natyrore të ekosistemeve për të thithur, ruajtur, filtruar dhe çliruar gradualisht ujin, duke kontribuar njëkohësisht në mbrojtjen e biodiversitetit.

Përmes treguesve të përbashkët për mungesën e ujit dhe sistemeve të paralajmërimit të hershëm, autoritetet synojnë të monitorojnë më mirë disponueshmërinë e ujit dhe rrezikun nga thatësirat. Këto mekanizma pritet të ndihmojnë në identifikimin më të hershëm të krizave dhe në rritjen e gatishmërisë së vendeve evropiane për t’i përballuar ato.

Për të garantuar cilësinë e ujit, strategjia synon të reduktojë ndotjen dhe të largojë ndotësit nga uji i pijshëm, me qëllim mbrojtjen e shëndetit publik. Zbatimi më i fuqishëm i Direktivës Kuadër për Ujin synon gjithashtu përmirësimin e gjendjes ekologjike të lumenjve dhe liqeneve në Evropë.

Një nga parimet kryesore të strategjisë është “efikasiteti i ujit në radhë të parë”, që synon krijimin e një ekonomie që e përdor ujin në mënyrë më të mençur dhe redukton shpërdorimin përpara se të kërkojë burime të reja, siç është shkripëzimi i ujit të detit. BE-ja synon ta rrisë efikasitetin e përdorimit të ujit me 10 për qind deri në vitin 2030, përmes zgjerimit të ripërdorimit të ujit në bujqësi, industri dhe sistemet publike të furnizimit.

Strategjia parashikon gjithashtu masa për kufizimin e kërkesës për ujë në sektorët industrialë dhe digjitalë me konsum të lartë, përmes planifikimit më efikas, reduktimit të rrjedhjeve dhe humbjeve në rrjetet publike të furnizimit, si dhe forcimit të kontrolleve mbi përdorimin e burimeve ujore.

Në këtë drejtim, Plani i Veprimit Digjital për Ujin synon të modernizojë menaxhimin e burimeve ujore përmes teknologjive të bazuara në të dhëna. Këtu përfshihen matësit inteligjentë, parashikimet e bazuara në inteligjencën artificiale, monitorimi satelitor i lagështisë së tokës, sistemet digjitale të ujitjes dhe teknologjitë për zbulimin e hershëm të rrjedhjeve.

Bajada tha se objektivi për rritjen e efikasitetit të përdorimit të ujit me 10 për qind deri në vitin 2030 përbën një sinjal të fortë politik, por nuk duhet të shihet si qëllimi përfundimtar. Sipas tij, ndryshimet klimatike po ndikojnë në mënyra të ndryshme në rajonet e Evropës, ndaj një objektiv i vetëm nuk mund t’u përshtatet të gjitha vendeve dhe sektorëve. Ai bëri thirrje për përcaktimin e objektivave të veçanta sipas sektorëve dhe baseneve ujore, duke marrë parasysh nevojat dhe rreziqet e ndryshme që lidhen me bujqësinë, industrinë, furnizimin publik dhe energjetikën.

Një tjetër shtyllë e strategjisë është nxitja e përdorimit të produkteve dhe pajisjeve që kursejnë ujin, përmes Rregullores për Dizajnin Ekologjik. Strategjia mbështet gjithashtu vendosjen e tarifave të ujit në bazë të sasisë së konsumuar dhe aftësisë së qytetarëve për të paguar, me synimin për të garantuar qasje të drejtë në ujë dhe për të nxitur përdorimin më të kujdesshëm të tij.

Shtetet anëtare pritet t’i informojnë qytetarët për gjendjen e burimeve ujore në nivel kombëtar dhe mënyrën se si ato menaxhohen. Kjo synon të rrisë transparencën dhe të përfshijë më shumë publikun në hartimin dhe zbatimin e planeve kombëtare për ujin.

Për Bajadën, investimi prej 15 miliardë eurosh i Bankës Evropiane të Investimeve në kuadër të strategjisë “është një hap shumë i rëndësishëm”, por “nuk është i mjaftueshëm për t’iu përgjigjur përmasave të sfidës së ujit në Evropë”.

Sipas tij, mungesa e ujit nënkupton që familjet të vazhdojnë të kenë qasje në ujë të rrjedhshëm dhe fermerët të jenë në gjendje të vazhdojnë prodhimin e ushqimit, edhe përballë thatësirave që po bëhen gjithnjë e më të gjata. Për këtë arsye, Bajada kërkon krijimin e një buxheti të posaçëm përmungesën e ujit dhe që menaxhimi i ujit të mbetet një prioritet në Kornizën e ardhshme Financiare Shumëvjeçare të Bashkimit Evropian.

Cilat vende vuajnë më shumë?

Evropa Jugore mbetet rajoni më i prekur nga thatësira në kontinent. Klima e nxehtë dhe e thatë rrit ndjeshëm kërkesën për ujë, veçanërisht në bujqësi, duke bërë që ky rajon të konsumojë pjesën më të madhe të burimeve të ujërave të ëmbla, sidomos gjatë muajve të verës.

Sipas raportit të Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA) për vitin 2025, mungesa e ujit preku në vitin 2023 rreth 28 për qind të territorit të Evropës dhe 32 për qind të popullsisë. Në Evropën Jugore, rreth 30 për qind e banorëve përballen me stres të përhershëm ujor, ndërsa gjatë verës kjo shifër rritet në 70 për qind, për shkak të rritjes së kërkesës nga turizmi, bujqësia dhe përdorimi publik.

Presioni mbi burimet ujore ka bërë që rajoni të mbështetet gjithnjë e më shumë në nxjerrjen e ujërave nëntokësore, përfshirë edhe rezervat fosile që nuk ripërtërihen në shkallë kohore njerëzore. Kjo po ushtron presion të mëtejshëm mbi rezervat ujore nëntokësore dhe po rrit rrezikun e shterimit të tyre.

Qiproja dhe Malta janë ndër vendet më të prekura. Të dhënat për vitin 2023 tregojnë se Qiproja shfrytëzoi rreth 92.1 për qind të burimeve të saj të rinovueshme të ujërave të ëmbla, ndërsa Malta 66.7 për qind. Të dyja vendet tejkaluan ndjeshëm pragun prej 40 për qind të indeksit WEI+, mbi të cilin konsiderohet se një territor përballet me stres të rëndë ujor.

Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA), nga viti 2020 deri në vitin 2024, ndikimi i thatësirës në Qipro u rrit, duke prekur 12.9 për qind të territorit të vendit. Në Maltë, situata ishte edhe më e rëndë, me thatësirën që në vitin 2024 preku 57.1 për qind të territorit, krahasuar me vetëm 6.5 për qind në vitin 2020.

Për të përballuar mungesën e ujit, Qiproja ripërdor pothuajse tërësisht ujërat e zeza, ndërsa Malta vetëm rreth 5 deri në 10 për qind. Të dyja vendet kanë zgjeruar gjithashtu kapacitetet e impianteve të shkripëzimit të ujit, të cilat tashmë sigurojnë pjesën dërrmuese të ujit të pijshëm në këta dy ishuj.

Ndryshe nga Evropa Jugore, vendet e Evropës Veriore dhe Qendrore përballen me një presion tjetër mbi burimet ujore, por përgjithësisht mbeten nën pragun e stresit ujor të përcaktuar nga indeksi WEI+. Në vitin 2023, treguesi WEI+ ishte vetëm 0.3 për qind në Suedi, 4.4 për qind në Gjermani dhe 8 për qind në Poloni. Presioni mbi burimet në këto vende lidhet kryesisht me kërkesën e lartë për ujë në sektorët industrialë dhe energjetikë.

Sipas EEA-së, kalimi drejt sistemeve të ftohjes dhe lëndëve djegëse që përdorin ujin në mënyrë më efikase, së bashku me përdorimin e teknologjive të reja dhe shfrytëzimin e nxehtësisë së mbetur nga termocentralet, mund të ulë marrjen e ujit nga burimet natyrore deri në 95 për qind.

Çfarë do të thotë mungesa e ujit për ju

Prodhimi i energjisë elektrike përbën rreth 33 për qind të sasisë së përgjithshme të ujit të marrë nga burimet në Evropë, duke e bërë sektorin energjetik një nga përdoruesit më të mëdhenj të ujit.

“Prurjet e ulëta në lumenj mund të ndikojnë në prodhimin e energjisë elektrike, i cili varet nga uji, si në termocentralet termike dhe ato bërthamore, ashtu edhe në hidrocentralet. Ato gjithashtu mund të ulin nivelin e ujit në lumenjtë e lundrueshëm, duke ndikuar në transportin e brendshëm ujor”, shpjegoi Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA).

Kur temperaturat rriten dhe prurjet e ujit bien, termocentralet mund të detyrohen të reduktojnë prodhimin ose, në raste ekstreme, të ndërpresin plotësisht funksionimin. Kjo mund të ndikojë drejtpërdrejt në furnizimin me energji për familjet dhe industrinë, siç po ndodh aktualisht në Hungari dhe Rumani.

Një rast i tillë është regjistruar edhe në Suedi, ku centrali bërthamor Ringhals u detyrua të ndërpresë përkohësisht operimin në korrik të vitit 2018, pasi temperatura e ujit të detit arriti në 25 gradë Celsius.

Bujqësia konsumon rreth 31 për qind të ujit të marrë nga burimet në Evropë, duke e bërë atë një nga sektorët më të varur nga burimet ujore. Mungesa e ujit shkakton ulje të rendimenteve bujqësore, duke i ekspozuar fermerët ndaj humbjeve ekonomike dhe rreziqeve të tjera, ndërsa mund të ndërpresë edhe zinxhirët e furnizimit me ushqime. Sipas Shërbimit Kërkimor të Parlamentit Evropian (EPRS), humbjet e të korrave janë rritur tashmë me më shumë se 30 për qind gjatë dekadës së fundit, krahasuar me trendet e parashikuara. Nëse kjo prirje vazhdon, mungesa e ujit mund të kontribuojë në rritjen afatgjatë të çmimeve të ushqimeve.

Rreth 21 për qind e sasisë së përgjithshme të ujit të marrë nga burimet përdoret për furnizimin publik me ujë. Ky është sektori ku qytetarët e ndiejnë më drejtpërdrejt ndikimin e mungesës së ujit, pasi autoritetet mund të vendosin kufizime për përdorimin e tij në aktivitete të përditshme, si larja, higjiena, gatimi dhe ujitja e kopshteve.

Këto kufizime janë veçanërisht të ndjeshme në rajonet mesdhetare, ku rritja e turizmit shton ndjeshëm kërkesën për ujë gjatë muajve të verës. Sipas EEA-së, turistët konsumojnë nga 300 deri në 2,000 litra ujë për person në ditë, krahasuar me rreth 125 litra që konsumon mesatarisht një banor vendas.

“Ndërsa qytetet e mëdha përgjithësisht kanë plane për përballimin e thatësirave dhe u japin përparësi furnizimit me ujë të pijshëm, komunat më të vogla dhe familjet që varen nga puset private janë shpesh më të cenueshme ndaj mungesës së ujit. Në disa vende, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë varet nga burime private të ujit, të cilat janë më pak të rregulluara dhe më të ekspozuara ndaj mungesës së ujit”, tha EEA për Euronews.

Industria përbën rreth 14 për qind të sasisë së përgjithshme të ujit të marrë nga burimet në Bashkimin Evropian. Mungesa e ujit mund të ndërpresë aktivitetin e sektorëve që konsumojnë sasi të mëdha uji, si industria e çelikut, e letrës dhe ajo ushqimore, duke detyruar në raste të caktuara edhe ndërprerjen e përkohshme të prodhimit.

Pasojat nuk kufizohen vetëm te prodhimi. Mungesa e ujit mund të ulë të ardhurat e kompanive, të vështirësojë shlyerjen e kredive dhe të rrisë rreziqet për stabilitetin financiar. Sipas Bankës Qendrore Evropiane, rreth 34 për qind e kredive për bizneset në eurozonë financojnë sektorë që varen ndjeshëm nga burimet ujore, duke e bërë krizën e ujit një rrezik edhe për sistemin financiar. /Telegrafi/