Cakaj telefonon politikanët shqiptarë në Mal të Zi, kërkon dalje masive në zgjedhje dhe mbështetjen e Listës Shqiptare
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka zhvilluar sot një bisedë me krerët e Listës Shqiptare në Mal të Zi.
Përmes një postimi në Facebook, Cakaj thekson se bashkimi i forcave politike nga Ulqini deri në Malësi, për të garuar me një listë të vetme zgjedhore është shprehje e vizionit të qartë e përkushtimit të thellë, për të lartësuar pozicionin e shqiptarëve në Mal të Zi.
Lexoni të plotë postimin:
“Zhvillova një bisedë shumë të vlefshme me krerët e Listës Shqiptare në Mal të Zi, z. Nik Gjeloshaj, z. Genc Nimanbegu, z. Nazif Cungu, z. Nikollë Camaj, z. Fadil Kaloshaj e z. Amir Hollaj.Bashkimi i forcave politike nga Ulqini deri në Malësi - Alternativa Shqiptare, Forca e Re Demokratike, Lidhja Demokratike Shqiptare, Unioni i Tuzit e Perspektiva Qytetare - për të garuar me një listë të vetme zgjedhore është shprehje e vizionit të qartë e përkushtimit të thellë, për të lartësuar pozicionin e shqiptarëve në Mal të Zi.Kjo listë gëzon mbështetjen publike të Presidentit të Kosovës, z. Hashim Thaçi, Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, Ministres së Jashtme të Kosovës, znj. Meliza Haradinaj-Stublla, mes tjerash. Me fjalë tjera, pas suksesit të përbashkët në Luginën e Preshevës ku mbështetja e Kosovës dhe e Shqipërisë i ka dhënë rezultatet e veta, jemi bërë bashkë për ta mbështetur Listën Shqiptare në Mal të Zi.Edhe një koment të pashmangshëm: përçarësit e mëdhenj që sot akuzojnë për përçarje Kosovën dhe Shqipërinë, vetëm sa për të mbuluar hipokrizinë e tyre, kanë punuar me shumë zell për t'i ndarë shqiptarët në shumë parti dhe për të pamundësuar formimin e një liste të vetme, për shkak të borxheve nga e kaluara, interesa personale dhe ndikimeve të palëve të treta. Këtu, megjithatë, më mbetet për të treguar shumë më shumë në ndërkohë.Sidoqoftë, tani ka rëndësi madhore vetëm e vetëm mbështetja e Listës Shqiptare.Prandaj, ne ju bëjmë thirrje të gjithë vëllezërve e motrave tona në Mal të Zi të dalin masivisht në zgjedhje për të votuar Listën Shqiptare. Ajo është adresa e duhur me njerëz të dëshmuar moralisht dhe intelektualisht, për të rritur cilësinë e përfaqësimit të shqiptarëve dhe ruajtur drejtimin euroatlantik të Malit të Zi.Zoti i bekoftë shqiptarët!”. /Telegrafi/


