Please enter at least 3 characters.

“Bombardoni Iranin ose do ta bëjmë ne me armë bërthamore”, pretendimi tronditës i ish-zyrtarit të CIA-s për presionin izraelit ndaj Trumpit

Ish-zyrtari i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së (CIA), John Kiriakou, ka bërë akuza tronditëse në një intervistë të fundit, duke pretenduar se Izraeli i ka dërguar një kërcënim bërthamor të paparë presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për ta detyruar të kryejë një sulm ushtarak ndaj objekteve bërthamore të Iranit.

Në bisedën për podcastin e Julian Dorey, Kiriakou tha se disa burime nga komuniteti i inteligjencës i kanë konfirmuar se zyrtarët izraelitë, gjatë konsultimeve të mbyllura, i kanë transmetuar Trumpit se do të përdorin armë bërthamore nëse SHBA-të refuzojnë të bombardojnë bunkerët e nëndheshme iraniane. Sipas tij, mesazhi ka qenë i drejtpërdrejtë dhe brutalisht i qartë: nëse nuk veproni ju, do të veprojmë ne.

Sipas interpretimit të Kiriakout, një kërcënim i tillë përbënte një precedent në marrëdhëniet mes dy aleatëve të ngushtë dhe, siç pretendon ai, ka luajtur rol vendimtar në faktin që Trumpi mori vendimin për të urdhëruar bombardimin e lokacioneve bërthamore të Iranit.

- YouTubewww.youtube.com

“Kjo është diçka që nuk e kemi parë në historinë moderne - një aleancë që në vend të stabilitetit sjell rrezik të një konflikti global”, tha Kiriakou, duke shtuar se beson që pikërisht frika nga një reagim i pakontrolluar izraelit ishte faktori që e ndikoi më së shumti mendimin e Trumpit.

Sipas asaj që pretendon Kiriakou, Izraeli po përgatitej për sulm edhe pa miratimin amerikan, gjë që, siç thotë ai, e rriti rrezikun që çdo veprim i njëanshëm të shkaktonte një reaksion zinxhir dhe përfshirjen e shumë shteteve në konflikt. Shtëpia e Bardhë amerikane ka refuzuar t’i komentojë këto pretendime, ndërsa qeveria izraelite nuk ka lëshuar asnjë deklaratë zyrtare.

Kiriakou, i cili më herët ka vuajtur dënim me burg për zbulimin e detajeve të programeve të torturës së CIA-s dhe që prej vitesh është në qendër të vëmendjes si një nga sinjalizuesit më të njohur amerikanë, pretendon se informacionet për të cilat flet vijnë “nga qarqet më të larta të komunitetit të inteligjencës”.

Sipas tij, kjo nuk është thjesht një histori për Iranin, por një paralajmërim për kufijtë deri ku mund të shkojnë aleancat kur futen në lojë kërcënimet bërthamore.

Ish-zyrtari i CIA-s thekson gjithashtu se për shkak të daljeve të tij të mëparshme publike ka marrë “aq shumë kërcënime me vdekje sa ka pushuar së numëruari”, duke shtuar se është i vetëdijshëm për rrezikun që sjell çdo paraqitje e tij publike. Pavarësisht kësaj, ai thotë se e konsideron detyrë të tij të paralajmërojë opinionin për rreziqet që, sipas tij, nuk janë më hipotetike, por shumë reale. /Telegrafi/