Bllokim rrugësh sot në kryeqytet, shkak Maratona Prishtina 2025
Sot në kryeqytet do të mbahet Maratona Ndërkombëtare Prishtina 2025, e cila pritet të sjellë pjesëmarrës nga vendi dhe jashtë tij.
Për të garantuar mbarëvajtjen e ngjarjes dhe sigurinë e pjesëmarrësve, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë ka ndërmarrë masa të veçanta për menaxhimin e trafikut.
Si pasojë, do të ketë bllokime të përkohshme dhe devijime të qarkullimit rrugor në disa segmente kyçe të rrugëve.
Prej orës 09:00 e deri në përfundim të garës, do të bllokohet për qarkullim rruga Prishtinë – Fushë Kosovë në drejtim të Pejës dhe anasjelltas, deri te nyja me autostradën "Ibrahim Rugova".
Udhëzime për rrugët alternative:
Ngasësit nga Peja që udhëtojnë për në Prishtinë – të përdorin rrugën: Sllatinë – Magurë – Lipjan pastaj lidhen me rrugën nacionale Ferizaj – Prishtinë.
Ngasësit nga Peja që udhëtojnë për në Fushë Kosovë – përmes: Sllatinë – Bardh i Vogël – Kuzmin – Fushë Kosovë.
Ngasësit nga Prishtina ose Veterniku që udhëtojnë për në Pejë/Aeroport – rruga: Prishtinë – Lipjan – Rufc i Ri – Poturoc – Magurë – Aeroport.
Ngasësit që udhëtojnë nga Mitrovica për në Pejë/Aeroport – të përdorin autostradën nga Mazgiti në drejtim të Shkupit, të dalin në Lipjan, pastaj të vazhdojnë: Rufc i Ri – Poturoc – Magurë – Aeroport.
Ngasësit që udhëtojnë nga Mitrovica për në Ferizaj – do të kenë lëvizje të lirë pa ndalesa në rrugën nacionale.
Transporti publik (autobusët) në relacionet Prishtinë – Fushë Kosovë – Aeroport – Pejë, nuk do të lejohet të qarkullojë gjatë kohës së garës, dhe duhet të ndjekë rrugët alternative të lartpërmendura.
Policia e Kosovës apelon te qytetarët dhe ngasësit që të respektojnë udhëzimet dhe sinjalizimet e përkohshme në rrugë, si dhe të bashkëpunojnë me zyrtarët policorë në terren, në mënyrë që të mundësohet një organizim i sigurt dhe i qetë i maratonës. /Telegrafi/


