Bernardo Sopaj me fitore spaktakolare ndaj Timmy Cuamban në UFC Vegas 117
Bernardo Sopaj e shndërroi presionin e vazhdueshëm në një fitore të madhe në UFC Vegas 117, duke e mposhtur Timmy Cuamban me dorëzim në raundin e dytë.
Sopaj e kontrolloi ritmin që në fillim të duelit, duke zënë qendrën e oktagonit dhe duke e detyruar Cuamban të punonte nga distanca, shpesh me shpinë pranë kafazit.
Ai e “priti” mirë lëvizjen e kundërshtarit dhe goditi pastër me të djathtën, duke mos i lënë shumë hapësira për të marrë iniciativën.
Në minutën e fundit të raundit të parë, Sopaj e çoi luftën në tokë, e rrëzoi Cuamban dhe i mori shpinën. Ai u përpoq ta mbyllte duelin me një shtrëngim në qafë, por Cuamba arriti të rezistonte dhe ta mbyllte raundin.
Në raundin e dytë, Cuamba tentoi të reagojë duke qëndruar më shumë në qendër dhe duke përdorur shpejtësinë, por Sopaj gjeti momentin vendimtar, ku pas disa goditjeve të pastra, një e majtë e fortë e rrëzoi Cuamban në tokë.
Sopaj vazhdoi menjëherë me goditje të njëpasnjëshme në tokë, duke mos i dhënë kundërshtarit kohë të rikuperohej. Më pas i mori sërish shpinën, futi krahun nën qafë dhe realizoi dorëzimin, duke e mbyllur ndeshjen në mënyrë bindëse.
Kjo fitore konfirmon formën në rritje të Sopajt dhe e vendos atë në një pozitë edhe më të mirë për sfida më të mëdha në vazhdim. /Telegrafi/


