Bëjeni Stankon edhe njëherë kryetar të Shtërpcës!
- Letër e hapur të gjitha pushteteve në Kosovë -
Dita e zgjedhjeve komunale në Kosovë, 15 nëntori, po afrohet. Duke pasur parasysh se edhe unë jam qytetar i një komune të Kosovës (Shtërpcës), natyrisht se do të marr pjesë në këto zgjedhje dhe do të votoj pa pikë dyshimi (se për kë do të votoj nuk do ta bëj publike), por, para se të votoj kam një rekomandim për krerët e institucioneve të Republikës së Kosovës, presidentin e kryeministrin, e pse jo edhe për EULEX-in, pasi na i tregoi “dhëmbët” goxha mirë kohëve të fundit.
Para se të jap rekomandimin tim, fillimisht kërkoj nga EULEX-i që “ta protokollojë”, e nga pushtetarët tanë që (mos) ta pranojnë. “Vetëvendosjes” s’po i kërkoj asgjë se edhe ashtu veturën e kam të vjetruar.
Si qytetar i Kosovës u rekomandoj, presidentit, kryeministrit, UNMIK-ut/EULEX-it..., që ta emërojnë edhe për një mandat Stanko Jakovljeviqin për kryetar të komunës së Shtërpcës. Në vazhdim do t’i numëroj disa arsye se përse Stankoja duhet të emërohet edhe njëherë për kryetar komune.
1. Arsyeja e parë pse Stankoja duhet të jetë kryetar i Shtërpcës është se unë s’kam nevojë të votoj fare (pse të mërdhihem duke pritur në radhë për të votuar) edhe ashtu nuk e votoj atë. Qeveria po i emëron kryetarët serbë, aty ku ka shumicë serbe.
2. Arsyeja e dytë është se atij (Stankos) i fle paqja në shpirt shumë (bash qashtu qysh p’e lypin ndërkombëtarët). Bile s’ia ka bërë fjalën dy as Zvonko Mihajloviqit të paralelcave, kur ky i dyti ia kërkoi çelësat e zyrës së kryetarit. Pra aq “paqësor” është saqë për hir të paqes mes komuniteteve në komunë ka “sakrifikuar” edhe zyrën e vet.
3. Arsyeja e tretë pse Stanko Jakovljeviqi duhet të jetë edhe për një mandat kryetar i Shtërpcës është sepse ai është “bashkëpunëtor” shumë i madh me të gjithë. Për shembull ai bashkëpunon shumë bukur me institucionet e Republikës së Kosovës si kryetar i emëruar (natyrisht edhe merr pagë prej tyre) dhe njëkohësisht edhe me Kuvendin paralel të Serbisë në Shtërpcë. Aq bashkëpunëtor i mirë është saqë në të njëjtën kohë kur Qeveria e Kosovës e pat emëruar kryetar komune, ai themelonte kuvendin paralel serb në Shtërpcë, duke folur si këshilltari më plaku aty sipas zakonit. S’ka fjalë këtu, mirë me krejt.
4. Arsyeja tjetër me radhë pse Stanko Jakovljeviq duhet të emërohet edhe njëherë kryetar i Shtërpcës është se nuk ia prish askujt dhe kurrë nuk e bën të madhe ndonjë problem, sepse as llogari nuk i kërkohet, edhe po t’i kërkohet nuk është i detyruar t’i japë askujt. Bile ka lëvdata të shumta nga disa drejtorë komunalë e disa kompani private që marrin tenderë në Shtërpcë për burrë të mirë (i mungojnë veç mustaqet).
5. Arsyeja e pestë që Stankoja të emërohet edhe për 4 vjet kryetar i Shtërpcës është ngase ai i kryen krejt punët e komunës vet. Për këtë arsye edhe nuk e ka mbledhur asnjëherë Kuvendin e Shtërpcës që kur e ka marrë mandatin e dytë S’ka pasur faj se nuk durohet lloj-lloj këshilltari të flasë aty.
6. Tjetër arsye, e gjashta me radhë, është se komuna e Shtërpcës pa Stankon kryetar nuk është relaksuese. Nuk do të ketë më humor dhe do të bëhej bajate. Paramendoni debatet e Jeta Xharrës pa Stankon, s’do të jenë më shou televiziv.
Këto janë disa nga arsyet kryesore pse Stanko Jakovljeviqi, kryetari aktual i Shtërpcës duhet të emërohet edhe për një mandat në këtë post. Ka edhe disa arsye tjera, por për të mos lodhur me lexim më shumë Ty lexues i nderuar, po e lë me kaq.


