Please enter at least 3 characters.

Bebe Rexha elektrizon 80 mijë fansa në 'Stade de France', promovon bashkëpunimin e ri me David Guettan dhe i bën dedikim emocionues DJ-it botëror

Artistja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka qenë një nga surprizat më të mëdha të koncertit spektakolar të David Guettas në 'Stade de France' të Parisit, duke dhuruar një performancë që u prit me entuziazëm nga rreth 80 mijë të pranishëm.

Pas një mbrëmjeje të parë ku në skenë u ngjitën emra si Jennifer Lopez dhe Akon, David Guetta rezervoi një tjetër surprizë për natën e dytë të koncertit, duke ftuar Bebe Rexhën të bashkohej me të para publikut francez.

Këngëtarja shqiptare u prit me ovacione të fuqishme teksa u ngjit në skenë për të interpretuar hitin e tyre global “I’m Good (Blue)”, këngë që u këndua në kor ngadhjetëra mijëra fansa të mbledhur në stadium.

Atmosfera elektrizuese vazhdoi edhe më tej kur dyshja sollën për herë të parë para një audience kaq të madhe bashkëpunimin e tyre më të ri, “Sad Girls”, këngë e përfshirë në albumin e sapopublikuar të Bebe Rexhës, “Dirty Blonde”.

Nën efektet spektakolare të dritave, skenografinë madhështore dhe energjinë e publikut, Bebe Rexha dhe David Guetta dëshmuan edhe një herë kiminë artistike që i ka shoqëruar ndër vite dhe që u ka sjellë disa prej hiteve më të mëdha të muzikës dance-pop.

Për Rexhën, performanca në Stade de France ishte gjithashtu një mundësi ideale për të promovuar albumin e saj më të ri “Dirty Blonde”, i cili u publikua po atë ditë dhe shënon një kapitull të ri në karrierën e saj si artiste e pavarur.

Një nga momentet më prekëse të mbrëmjes erdhi kur Bebe Rexha ndaloi për pak çaste muzikën për t’i bërë një dedikim publik David Guettas.

Artistja kujtoi fillimet e saj në Los Angeles, kur ende punonte si tekstshkruese për emra të mëdhenj si Rihanna dhe Eminem, duke theksuar se DJ-i francez kishte luajtur një rol të rëndësishëm në rrugëtimin e saj drejt suksesit.

“Ai gjithmonë ka besuar tek unë. Gjithmonë u përgjigjet telefonatave të mia. Është një baba dhe mik i jashtëzakonshëm, por mbi të gjitha është një legjendë e gjallë. Faleminderit David Guetta dhe faleminderit Paris”, u shpreh Rexha para 80 mijë spektatorëve.

Fjalët e saj prekën jo vetëm publikun, por edhe vetë Guettan, i cili u shfaq i emocionuar nga vlerësimi i artistes shqiptare.

Me këtë paraqitje të veçantë në një nga stadiumet më të famshme të Evropës, Bebe Rexha vazhdon të dëshmojë statusin e saj si një prej artisteve shqiptare më të suksesshme në arenën ndërkombëtare, ndërsa albumi i saj i ri “Dirty Blonde” po nis rrugëtimin e tij me mbështetjen e publikut dhe kritikëve. /Telegrafi/