BDI: Të shtunën fillon rezistenca qytetare për mbrojtjen e Marrëveshjes së Ohrit
BDI ka paralajmëruar se të shtunën do të organizojë një protestë paqësore në Tetovë. Nga BDI sot thanë se protesta organizohet si reagim ndaj ndryshimit të emrave të disa rrugëve dhe të sheshit të qytetit, respektivisht rikthimin e emrave të vjetër me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
BDI vlerëson se këto vendime bien në kundërshtim me rendin kushtetues dhe rrezikojnë zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
“Protesta e së shtunës është një thirrje për përgjegjësi institucionale, për respektimin e rendit kushtetues dhe për mbrojtjen e Marrëveshjes së Ohrit si themel i bashkëjetesës dhe i orientimit euroatlantik të vendit. Ftojmë çdo qytetar që beson në këto vlera të marrë pjesë në mënyrë paqësore, dinjitoze dhe me përgjegjësi".
"Historia e çdo shteti ka momente kur qytetarët vendosin të mbrojnë parimet mbi të cilat është ndërtuar ai shtet. Besojmë se e shtuna do të jetë një prej atyre momenteve”, thanë nga BDI./Telegrafi/


