Bayerni po interesohet për transferimin e talentit brazilian
Raporimet e fundit nga Gjermania sugjerojnë se Bayern Munich ka qenë duke monitoruar nga afër talentin sulmues brazilian Rayan Rocha, i cili aktivizohet te Vasco da Gama.
Mediumi SPORT1 ka ofruar së fundmi një përditësim mbi situatën.
Sipas këtij raporti, Bayern e ka mbajtur prej kohësh nën vëzhgim 19-vjeçarin dhe ka dërguar skautë për ta ndjekur nga afër zhvillimin e tij. Megjithatë, interesimi i kampionëve të Bundesligës mbetet vetëm në nivel monitorimi.
Aktualisht, Bayern Munich nuk ka ndërmend të ndërmarrë hapa konkretë për transferimin e Rayanit. Klubi bavarez nuk po e konsideron prioritet një lëvizje të tillë në këtë fazë të merkatos.
Arsyeja kryesore lidhet me kërkesat financiare të Vasco da Gama. Klubi brazilian raportohet se kërkon një shumë prej 45 deri në 50 milionë euro për kartonin e talentit të ri, një shifër që ka dekurajuar Bayern Munich të avancojë më tej në negociata. /Telegrafi/


