Please enter at least 3 characters.

Bayern Munichut i shpëton fitorja në sekondat e fundit ndaj Leipzig - festa e titullit shtyhet për javën tjetër

Bayern Munich ka luajtur baras me rezultat 3-3 në udhëtim ndaj Leipzigut në kuadër të javës së 32-të në elitën e futbollit gjerman. 

Bavarezët e nisën shumë keq ndeshjen, pasi Leipzigu arriti që të krijojë një epërsi prej 2-0 pas pjesës së parë.

Golin e avantazhit për vendasit e realizoi Benjamin Sesko në minutën e 11-të për 1-0 pas asistimit nga Xavi Simons.

Vendasit ia dolën ta dyfishojnë rezultatin në minutën e 39-të përmes Lukas Klostermann i cili me kokë realizoi për 2-0 pas një krosimi në zonë nga David Raum.

Bayerni u fut në pjesën e dytë me një fytyrë krejtësisht tjetër, duke arritur që të barazojnë gjithçka në harkun e vetëm dy minutave.

Fillimisht ishte Eric Dier i cili realizoi për 2-1 në minutën e 61-të për të ngushtuar diferencën, ndërkaq për të barazuar rezultatin u përkujdes Michael Olise që realizoi për 2-2 në minutën e 63-të.

Golin e përmbysjes e realizoi Leroy Sane në minutën e 83-të, me gjermanin që shënoi për 3-2 pas një asistimi nga Joshua Kimmich.

Kur dukej se bavarezët do ta siguronin fitoren dhe titullin qysh sot, ishte Youssef Poulsen i cili realizoi për 3-3 në minutën e 94-të.

Pas këtij barazimi Bayerni shkoi në kuotën e 76 pikëve të grumbulluara dhe tani titullin kampion mund ta sigurojë javën e ardhshme në shtëpi ndaj Borussia Monchengladbach./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore