Bashkimi shpallet kampion, titulli i katërt radhazi për prizrenaset
Bashkimi i Prizrenit ka vazhduar dominimin në Superligën e Kosovës në basketboll për femra, duke e fituar titullin e kampionit të mërkurën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë.
Në praninë e një numri të madh shikuesish, prizrenaset e mposhtën Pejën 03 me rezultat 71:61 në ndeshjen e shtatë dhe vendimtare të finales, duke e mbyllur serinë me rezultat 4:3.
Për Bashkimin ky është titulli i katërt rresht dhe i dhjeti gjithsej në histori, ndërsa Peja 03 nuk arriti të përfitojë nga përparësia e terrenit vendas dhe mbështetja e tifozëve në sfidën finale.
Bashkimi e dominoi shumicën e ndeshjes: çereku i parë u mbyll 23:17, ndërsa i dyti 19:7 në të mirë të mysafireve.
Pejanet tentuan rikthimin në pjesën e dytë dhe u afruan në rezultat, por Bashkimi i rezistoi presionit dhe e ruajti epërsinë deri në fund.
Alexis Mead ishte më e dalluara te Bashkimi me 26 pikë, 8 asistime dhe 4 kërcime. Kontribut të madh dha edhe Saranda Daci me 16 pikë dhe 8 kërcime, ndonëse për një kohë të gjatë luajti me katër personale, ndërsa Dontavia Waggoner shtoi 12 pikë dhe 6 kërcime.
Te Peja 03, më e mira ishte Paige Powell me 21 pikë dhe 10 kërcime, ndërsa Adrienne Godbold realizoi 17 pikë, 10 kërcime dhe 4 asistime, por pa arritur ta ndalë serinë e suksesit të Bashkimit.
Bashkimi këtë edicion e ka fituar edhe Kupën e Kosovës dhe Ligën Unike, ndërsa Peja 03 mbetet me trofeun e Superkupës. /Telegrafi/


