Please enter at least 3 characters.

Bashkimi arrin fitore të madhe, mposht ekipin e njohur italian Pallacanestro Reggiana

Bashkimi arriti një fitore të madhe në arenën evropiane, duke triumfuar me rezultat të ngushtë 77:76 ndaj skuadrës italiane Pallacanestro Reggiana, në kuadër të xhiros së pestë të Grupit J në FIBA Europe Cup.

Sfida, e zhvilluar të mërkurën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi”, përfundoi me një skenë spektakolare – një bllokadë vendimtare nga qendra amerikane De’Quon Lake, që ndali tentimin e fundit të Jaime Echenique dhe vulosi fitoren për skuadrën portokalli.

Ndeshja ishte një betejë e vërtetë nervash, me ritëm të lartë dhe ndryshime të shpeshta në rezultat.

Gjatë gjithë takimit, asnjë ekip nuk arriti të shkëputej ndjeshëm, ndërsa fundi ishte i denjë për film sportiv.

Një minutë e 19 sekonda para fundit, TJ Bickerstaff shënoi të dyja gjuajtjet e lira për ta kaluar Bashkimin në epërsi 76:75.

Italianët tentuan të riktheheshin, por humbën disa aksione të rëndësishme, ndërsa Jeremiah Bailey realizoi për 77:76, vetëm 11 sekonda para fundit.

Në aksionin e fundit të ndeshjes, Reggiana kërkoi fitore me një goditje të shpejtë, por Lake ndërhyri në mënyrë perfekte, duke bllokuar topin dhe shpëtuar Bashkimin.

Me këtë fitore, ekipi prizrenas arrin suksesin e dytë në grup, duke u barazuar me vetë Reggianan, të dyja me bilanc 2-3.

Ndërkohë, Dijoni dhe Cibona kryesojnë me nga tri fitore dhe dy humbje, por Bashkimi mbetet fuqishëm në garë për kalimin në fazën tjetër./Telegrafi/