Please enter at least 3 characters.

Bashkëpunimi ndërshqiptar në qendër të panairit të turizmit në Prishtinë

Me synimin për ta shndërruar rajonin në një destinacion të përbashkët turistik dhe për të rritur fluksin e vizitorëve, përfaqësues të sektorit të turizmit dhe drejtues komunalë nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan sot marrëveshje bashkëpunimi në Prishtinë.

Kjo marrëveshje shihet si një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një platforme të përbashkët për promovimin e turizmit, shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e ofertave të integruara rajonale.

Kryetari i Unionit të Turizmit në Kosovë, Baki Hoti, e cilësoi këtë marrëveshje si një iniciativë që kishte nisur vite më parë dhe që tashmë po konkretizohet, duke theksuar se ajo synon krijimin e partneriteteve dhe koordinimin e aktiviteteve që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendeve pjesëmarrëse.



“E dimë që turizmi nuk njeh kufij, andaj të gjithë bashkë të bëjmë të mirën e mundshme që të tërheqim sa më shumë vizitorë dhe në këto komuna por edhe në vendet-shtetet tona të kemi një numër sa më të madh të turistëve të cilët do ta frekuentojnë këtë pjesë të Ballkanit. Sidomos tashmë Kosova është në prag të lojërave mesdhetare dhe do të kemi një fluks të shtuar të numrit të vizitorëve dhe shpresoj që të përgatitemi t’u mundësojmë të gjithë-operatorëve që të krijojnë paketa të përbashkëta që vizitorët që vijnë për lojërat mesdhetare pse mos të shkojnë edhe një ditë-dy ditë në Ulqin, në Strugë, në Tiranë, në Durrës e në vendet të tjera. Dhe qëllimi është që të krijojmë bashkëpunime, organizime të përbashkëta dhe t’i japim një vlerë të shtuar të gjitha këtyre potencialeve qofshin kulturore, qofshin historike por qofshin edhe natyrore të cilat ne shqiptarët i kemi” , tha ai.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa, theksoi rëndësinë e këtij organizimi si një hap fillestar drejt krijimit të një organizate gjithëkombëtare të turizmit.

Ai nënvizoi se ideja për një bashkëpunim të tillë ka qenë e kahershme dhe synon promovimin e vlerave të përbashkëta historike dhe kulturore shqiptare.

Sipas tij, kjo nismë pritet të zgjerohet duke përfshirë më shumë organizata, komuna dhe aktorë të tjerë, duke krijuar një strukturë bashkëpunuese mes sektorit privat dhe pushtetit lokal.

Ndërkohë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, vlerësoi organizimin e panairit dhe theksoi përkushtimin e kryeqytetit ndaj zhvillimit të turizmit.

Ai bëri të ditur se Prishtina ka shënuar rritje të ndjeshme të numrit të turistëve vit pas viti, duke arritur deri në 40% rritje në vitin e kaluar.



Rama theksoi gjithashtu rëndësinë e investimeve në kulturë, art dhe evente, si dhe përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030, të cilat pritet të rrisin edhe më shumë vizibilitetin e qytetit.

Ai potencoi nevojën për digjitalizim të ofertave turistike dhe për bashkëpunim rajonal, duke përmendur afërsinë gjeografike si një avantazh të madh për zhvillimin e përbashkët.

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, theksoi rolin kyç të turizmit në zhvillimin ekonomik dhe gjenerimin e të ardhurave.

Ai u shpreh se Ulqini, së bashku me Strugën dhe Prishtinën, synon të pozicionohet fuqishëm në tregun rajonal turistik përmes një oferte të përbashkët dhe konkurruese.

Nimanbegu vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin me Unionet e Turizmit të Kosovës dhe Shqipërisë, duke theksuar se kjo do të lehtësojë punën e institucioneve dhe organizatave turistike në të ardhmen.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, e cilësoi këtë nismë si të domosdoshme për zhvillimin e turizmit dhe afrimin kulturor ndërmjet vendeve.

Ai prezantoi Strugën si një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në Maqedoninë e Veriut, duke përmendur pasuritë natyrore si Liqenin e Ohrit, lumin Drin i Zi dhe infrastrukturën në zhvillim, përfshirë lidhjet me Korridorin 8.

Panairi po vazhdon të mbetet i hapur për vizitorë edhe gjatë ditës së sotme, ndërsa organizatorët ftojnë qytetarët dhe bizneset që të bëhen pjesë e këtij eventi, i cili synon të forcojë lidhjet ekonomike dhe të promovojë turizmin si një sektor strategjik për zhvillimin e vendit dhe rajonit./Telegrafi/