Basha: Kosova ka projekte hekurudhore “me rëndësi strategjike për Evropën”
Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka kërkuar mbështetje më të madhe ndërkombëtare për projektet infrastrukturore të Kosovës, me theks të veçantë në sektorin hekurudhor,.
Në një panel diskutimi së bashku me homologët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjatë pjesëmarrjes së tij në Samitin e Investimeve në Transport, që u mbajt të enjten në Selanik të Greqisë, ai theksoi vendi ka një vizion të qartë për zhvillimin e infrastrukturës dhe se projektet hekurudhore të Kosovës kanë rëndësi të veçantë jo vetëm për zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe për lidhshmërinë rajonale dhe interesat strategjike të Evropës.
Basha, sic bëhet e ditur nga një kumtesë e zyrës së tij, vlerësoi se investimet në infrastrukturë ndikojnë drejtpërdrejt në forcimin e shkëmbimeve tregtare, rritjen e mobilitetit dhe përshpejtimin e integrimit ekonomik evropian, duke bërë thirrje që këto projekte të mbështeten nga partnerët ndërkombëtarë.
Sipas tij, përkrahja e vazhdueshme e institucioneve financiare ndërkombëtare dhe partnerëve zhvillimorë mbetet thelbësore për realizimin e projekteve strategjike që avancojnë lidhshmërinë rajonale dhe integrimin e Kosovës në rrjetet evropiane të transportit.
Në panel morën pjesë edhe Komisioneri Evropian për Transportin, Apostolos Tzitzikostas, ministri grek i Infrastrukturës dhe Transportit, Christos Dimas, si dhe përfaqësues të Bankës Evropiane për Investime (BEI) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe).
Zëvendëspresidenti i kësaj të fundit Mark Bowman ka thënë se sfida kryesore mbetet realizimi i projekteve, duke theksuar nevojën për përshpejtimin e përgatitjes së tyre, forcimin e institucioneve dhe mobilizimin e financimit publik e privat për të kthyer korridoret strategjike në investime konkrete.
Ndërkaq, numri dy i Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), Robert de Groot, tha se lidhshmëria efektive është thelbësore për një Evropë konkurruese dhe të integruar, duke nënvizuar se projektet e transportit ndihmojnë në forcimin e tregtisë, investimeve dhe integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.
Drejtori i Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, Matej Zakonjshek, organizatë kjo që e organizoi këtë samit tha se rajoni tashmë ka përcaktuar prioritetet dhe është përafruar me standardet e BE-së, por tani “duhet të kalojmë nga hartat dhe planet në zbatim të shpejtë”, duke kërkuar projekte më të përgatitura, institucione më të forta dhe financim të koordinuar.
Një raport i Gjykatës së Auditorëve të BE-së, që u bë publik ditë më parë, kishte gjetur se projektet që kanë të bëjnë me ndërtimin, rregullimin dhe përmirësimin e rrjetit të transportit në Ballkan, e të cilat janë të financuara nga Unioni, nuk janë gati për t’u përfunduar në vitin 2030, sikur që ishin përcaktuar afatet.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor parasheh 6 miliardë euro financim, prej tyre 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi koncesionare. Rreth 3 miliardë euro janë të dedikuara për investime përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor. /KP/


