Barcelona qysh tani mendon për sezonin e ardhshëm, ka tre objektiva të mëdha
Barcelona ka nisur tashmë planifikimin për sezonin e ardhshëm, me drejtuesit e klubit që synojnë të përforcojnë të paktën tre pozicione kyçe në skuadër.
Strategjia e katalanasve është e qartë: afrimi i lojtarëve të afirmuar, të gatshëm për të dhënë kontribut të menjëhershëm në nivelin më të lartë.
Edhe pse ecuria e sezonit aktual do të ketë ndikim në vendimet përfundimtare, menaxhmenti sportiv ka filluar punën me objektivin për të përforcuar skuadrën në tri zona specifike të fushës.
Sipas Mundo Deportivo, pas disa takimeve me stafin teknik, klubi ka rënë dakord për nevojën e transferimit të një qendërmbrojtësi me këmbë të majtë, një anësori ofensivë dhe një sulmuesi që në të ardhmen mund të zëvendësojë Robert Lewandowskin. Në të gjitha rastet, Barcelona synon lojtarë të provuar, me eksperiencë në elitën e futbollit evropian.
Sa i përket mbrojtjes, ëndrra e madhe e “Blaugranëve” mbetet kroati Josko Gvardiol (Manchester City, 23 vjeç). Megjithatë, duke marrë parasysh vështirësitë e mëdha financiare për realizimin e këtij transferimi, në listën e alternativave ndodhen edhe italiani Alessandro Bastoni (Inter, 26 vjeç) dhe gjermani Nico Schlotterbeck (Borussia Dortmund, 26 vjeç).
Ndërkohë, objektivat për dy pozicionet e tjera janë më të qarta. Për krahun e sulmit, Barcelona po shqyrton seriozisht aktivizimin e opsionit të blerjes prej 30 milionë eurosh për Marcus Rashford (Manchester United, 28 vjeç), i cili aktualisht është i huazuar.
Sa i përket pozicionit të sulmuesit qendror, katalanasit janë të vendosur të bëjnë maksimumin për të siguruar shërbimet e argjentinasit Julián Alvarez (Atlético Madrid, 25 vjeç). /Telegrafi/


