Please enter at least 3 characters.

Barcelona nis bisedimet për transferimin e yllit të Benficës

Barcelona ka nisur kontaktet me agjentin e adoleshentit të Benficës, Gonçalo Oliveira, për një transferim të mundshëm në të ardhmen.

Përfaqësuesit e lojtarit janë takuar me drejtorin sportiv të Barcelonës, Deco, dhe megjithëse bisedimet kanë qenë të shkurtëra, drejtuesit katalanas po e shqyrtojnë mundësinë e një oferte për mbrojtësin 19-vjeçar, i cili ende nuk ka debutuar me ekipin e parë të gjigantëve portugezë.

Sipas Sport, agjentët portugezë Antonio Casanova dhe Carlo Gonçalves janë takuar me Deco në ditën kur Barcelona luajti ndaj Paris Saint-Germain në Ligën e Kampionëve, dhe diskutuan për një talent të ri të Benficës, pikërisht Oliveira.

Së fundmi, paraqitjet e qendërmbrojtësit kanë tërhequr vëmendjen e klubeve të tjera portugeze, ndërsa trajnerët brenda akademisë së Benficës e konsiderojnë atë si një nga talentet më premtues.

Takimi ishte informal dhe bisedimet rreth mbrojtësit me këmbë të majtë kanë qenë vetëm verbale, negociatat zyrtare ende nuk kanë nisur.

Gonçalo Oliveira

Kuptohet se Barcelona nuk ka urgjencë për të afruar një tjetër qendërmbrojtës në këtë moment, dhe Deco beson se një lëvizje e mundshme do të shqyrtohet vetëm pas analizës nga departamenti i skautimit, i cili mund të sugjerojë nevojën për përforcime në mbrojtje.

Për më tepër, çdo lëvizje për lojtarin nuk do të miratohet pa pëlqimin e Decos.

Oliveira ka kontratë me Benficën deri në vitin 2029 dhe pritet të debutojë së shpejti me ekipin e parë nën drejtimin e Jose Mourinhos./Telegrafi/