Barcelona e sheh mbrojtësin kroat si alternativë nëse nuk arrihet Bastoni
Barcelona ka nisur të shqyrtojë alternativa për repartin defensiv në prag të merkatos së verës, me Luka Vuskovic që është shfaqur si një opsion rezervë në rast se dështon transferimi i Alessandro Bastoni.
Klubi katalanas e ka prioritet afrimin e mbrojtësit të Interit, por çmimi i lartë prej rreth 70 milionë eurosh mund të rezultojë pengesë serioze në negociata.
Në këtë kontekst, Barcelona po monitoron nga afër zhvillimin e Vuskovic, i cili është në pronësi të Tottenham Hotspur. Mbrojtësi kroat u transferua nga Hajduk Split për rreth 12 milionë euro dhe sezonin e fundit e kaloi në formë huazimi te Hamburger SV, ku la përshtypje pozitive në Gjermani.
Vuskovic ka treguar potencial të madh, duke kontribuar edhe në aspektin ofensivë me pesë gola dhe paraqitje të qëndrueshme në Bundesliga.
Megjithatë, mosha e re dhe mungesa e përvojës në nivelet më të larta mbeten faktorë që mund të ndikojnë në vendimmarrjen e Barcelonës, e cila kërkon stabilitet dhe lidership në mbrojtje.
Nga ana tjetër, Tottenham nuk pritet ta lejojë lehtë largimin e lojtarit dhe mund të kërkojë një shumë të konsiderueshme, duke e bërë marrëveshjen jo të thjeshtë për klubin katalanas.
Për momentin, Bastoni mbetet objektivi kryesor i Barcelonës, ndërsa Vuskovic shihet si një alternativë serioze në rast se bisedimet me Interin nuk arrijnë në një marrëveshje. /Telegrafi/


