Please enter at least 3 characters.

Barcelona e mban nën vëzhgim Osimhenin, Galatasaray i vendos çmim marramendës

Barcelona vazhdon të monitorojë situatën e sulmuesit nigerian, Victor Osimhen, por një transferim i mundshëm i tij duket tejet i vështirë për shkak të kërkesave të larta financiare të Galatasarayt.

Sipas gazetarit Yagiz Sabuncuoglu, kampioni turk është i gatshëm të shqyrtojë vetëm oferta që nisin nga 140 milionë euro për yllin e tij.

Ky vlerësim vjen pas një sezoni të jashtëzakonshëm 2025/26, ku Osimhen u shpall lojtari më i mirë i Superligës Turke dhe ndihmoi Galatasarayn të mbrojë titullin kampion.

Sulmuesi 27-vjeçar zhvilloi një edicion mbresëlënës, duke regjistruar 22 gola dhe tetë asistime në 32 paraqitje në të gjitha garat.

Në kampionat, ai realizoi 15 gola dhe pesë asistime në 22 ndeshje, ndërsa shkëlqeu edhe në Ligën e Kampionëve me shtatë gola dhe tre asistime në 10 paraqitje.

Një nga momentet më të veçanta të sezonit ishte tregolëshi i tij ndaj Ajax në Ligën e Kampionëve, performancë që konfirmoi edhe një herë statusin e tij si një nga sulmuesit më të rrezikshëm në futbollin evropian.

Forma e shkëlqyer e Osimhenit vazhdoi edhe me përfaqësuesen e Nigerias, ku ai kontribuoi me katër gola dhe dy asistime në gjashtë ndeshje.

Gjatë sezonit, Osimhen luajti 2.550 minuta me fanellën e Galatasarayt, duke regjistruar 115 goditje drejt portës, prej të cilave 66 përfunduan në kuadrat.

Barcelona pritet të kërkojë përforcime në repartin ofensiv gjatë afatit kalimtar veror, por kërkesa prej 140 milionë eurosh e Galatasarayt mund të jetë një pengesë e madhe për realizimin e këtij transferimi. /Telegrafi/