Please enter at least 3 characters.

“AVONET” ngre shqetësime për konflikt interesi në Policinë e Gjilanit - vjen reagimi zyrtar

2024/09/policia-4-600x360-1-730x440-1.jpg

Rrjeti i organizatave joqeveritare “AVONET” ka ngritur shqetësime për një rast të dyshuar për konflikt interesi brenda një procesi të rekrutimit në Policinë e Kosovës, konkretisht në Drejtorinë Rajonale në Gjilan.

Kjo organizatë i është drejtuar edhe Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), duke kërkuar inicimin e një hetimi administrativ për këtë çështje.

Si rrjedhojë, Telegrafi ka adresuar pyetje në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjilan, nga ku është marrë përgjigje zyrtare se gjatë këtij procesi të rekrutimit nuk ka pasur parregullësi dhe nuk kanë rezultuar në ndonjë konflikt interesi.

“Në bazë të kritereve për përzgjedhje të kandidatit meritor, nuk ka pasur parregullsi. Konsiderojmë se janë ndjekur të gjitha procedurat e parapara për konkurset e brendshme dhe në këtë rast nuk kemi mundur të vërtetojmë se ka pasur konflikt interesi”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Policia bën të ditur se pas përfundimit të procesit të rekrutimit, njëri nga kandidatët që nuk është përzgjedhur ka ushtruar ankesë në Komisionin e Ankesave të Policisë së Kosovës, por ajo është refuzuar si e pabazuar.

“Komisioni i Ankesave ka shqyrtuar të gjitha shkresat e lëndës të parashtruara nga ankuesi dhe ka vendosur që ankesa të refuzohet si e pabazuar”, thuhet më tej.

Gjithashtu, në përgjigjen e Policisë theksohet se ky komision, pas administrimit të provave dhe shqyrtimit të lëndës ankimore, ka konstatuar se shpallja e konkursit është bërë në përputhje të plotë me udhëzimet në fuqi, përfshirë Udhëzimin Administrativ nr. 02/2023 mbi marrëdhënien e punës në Policinë e Kosovës.

Sipas Policisë, pala e pakënaqur ka pasur të drejtë, me këshillë juridike, që brenda afatit ligjor të iniciojë padi në Gjykatë.

Tutje, theksohet se ankesa është ndjekur edhe në aspektin disiplinor, përmes Inspektoratit Policor të Kosovës, si dhe nga Drejtoria për Hetime të Brendshme dhe Verifikimin e të Kaluarës.

“Procedura është shqyrtuar nga këto institucione dhe në fund ka rezultuar e paargumentuar,” thuhet në sqarimin zyrtar.

Policia thekson se nuk është gjetur asnjë rrethanë që do të mund të konsiderohej si favorizuese apo diskriminuese ndaj ndonjërit nga kandidatët për pozitën “Zyrtar i Lartë i Personelit”.

Ndërsa për kandidatin e përzgjedhur, Policia konfirmon se nuk është evidentuar asnjë parregullsi.

“Asnjë nga anëtarët e panelit për përzgjedhjen e kandidatëve nuk ka paraqitur konflikt interesi dhe nuk ka pasur ndonjë raport mbikëqyrjeje me kandidatin fitues”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Telegrafin.

Lidhur me pretendimin e organizatës “AVONET” se, sipas burimeve të saj, Valdete Shehu është eprorja direkte e kandidatit të përzgjedhur, Ergin Ismaili, policia ka mohuar një lidhje të tillë mbikëqyrjeje.

“Zyrtari përkatës, në kohën e aplikimit për pozitën ‘Zyrtar i Lartë i Personelit’, ka qenë i sistemuar në pozitën ‘Zyrtar Administrativ’ në Njësitin Rajonal të Komunikacionit Rrugor, pozitë e cila, në bazë të strukturës organizative dhe listës së personelit të autorizuar në Policinë e Kosovës, është nën mbikëqyrje të drejtpërdrejtë të komandantit të njësisë,” thuhet në fund të përgjigjes. /Telegrafi/