Autostrada dhe Prizreni
Si mund të përfitojmë si komunë nga ky projekt?
Edhe një herë, autostrada kthehet si temë qendrore mediale në Kosovë. Në një atmosferë me shumë premtime, parashikime, kundërshtime e paqartësi, autostrada Morin – Merdar po diskutohet në një nivel të pastrukturuar dhe jovizionar të diskursit publik. Unë e kam një perspektivë tjetër për debatin mbi autostradën. Perspektivën lokale, e cila kërkon parapërgatitje.
Elementi i parë, ndoshta edhe i vetëm, që është i sigurt për momentin, është se autostrada, përveç tjerash do të kalojë edhe përmes Prizrenit, duke prekur disa fshatra dhe pjesën urbane të komunës. Dhe sipas të gjitha gjasave, ky fakt nuk do të ndryshojë. Prandaj, edhe reflektimin mbi projektin e autostradës duhet ta orientojmë tek analiza e përfitimit konkret të (në rastin tonë) komunës së Prizrenit dhe detyrave që duhet t’i përmbushim, para se ky projekt të na zë në befasi dhe të papërgatitur. Autostrada, herët a vonë, do të realizohet. Ky është një nga parakushtet më elementare të zhvillimit ekonomik të Kosovës, prandaj nuk mund të paramendohet një Kosovë pa këtë autostradë. Nëse edhe këtë e marrim si një fakt të qëndrueshëm, atëherë nuk na mbetet tjetër veç t’i kthehemi vetes sonë dhe të merremi me detyrat e shtëpisë.
Autostrada Morin – Merdar do të jetë arterie qendrore për një zhvillim të shpejtë dhe të qëndrueshëm ekonomik të komunës së Prizrenit (natyrisht, edhe komunave tjera të Kosovës, ku do të kalojë kjo autostradë). Ajo do të hap shtigje dhe mundësi të reja për zhvillim të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë dhe do ta ndihmojë drejtpërdrejtë biznesin e vogël dhe të mesëm të komunës së Prizrenit. Në veçanti, qarkullimi i shtuar i njerëzve dhe kapitalit në këtë segment, do të krijojë mundësi të përkryer për zhvillimin e turizmit kulturor dhe natyror në komunën e Prizrenit, e cila ofron atraksione natyrore (në periferi dhe fshatra) dhe thesar kulturor e historik (në pjesën urbane, poashtu edhe në rrethinë e fshatra). Autostrada do të jetë mundësi edhe për tërheqje të investitorëve që dëshirojnë të investojnë në Prizren, studentëve që dëshirojnë të studiojnë në universitetet e qytetit, artistëve që dëshirojnë të performojnë në këtë vend, por edhe shumë grupeve tjerë, të cilët do t’i japin një shtytje vendimtare rignjalljes ekonomike të komunës.
I gjithë ky skenar zhvillimor kërkon parapërgatitje serioze. Për të tërhequr çfarëdolloj kapitali (njerëzor, financiar, shoqëror, etj.) që mund të vijë përmes autostradës, komuna e Prizrenit duhet t’i ofrojë parakushtet e duhura të akomodimit dhe kanalizimit të këtyre prurjeve zhvillimore. Për investime nga jashtë duhet krijuar mjedis të përshtatshëm investues. Për pritje të turistëve duhet përgatitur bizneset e komunës që ta ngrisin ofertën e tyre afariste. Paralelisht në turizëm duhet ngritur nivelin e promovimit të trashëgimisë kulturore dhe natyrore të qytetit. Për një bashkëpunim më të mirë kulturor me Shqipërinë duhet pasuruar jetën kulturore të Prizrenit. Dhe natyrisht, hapa tjerë vendosmërie, duke filluar nga rregullimi urbanistik e mbrojtja e ambientit, deri tek politikat favorizuese për bizneset. Të gjitha këto janë obligim i qeverisë lokale të Prizrenit. I një qeverie lokale, që duhet të jetë e menqur dhe e parapërgatitur për sfidën e quajtur autostradë. Kjo sfidë do të sjellë telashe nëse nuk i paraprijmë, ndërsa do të shndërrohet në zhvillim për komunën e Prizrenit, nëse prej këtij momenti fillojmë me përgatitjen e terrenit.
(Autori është kandidat për kryetar të Komunës së Prizrenit nga AAK)


