Please enter at least 3 characters.

Autosallonet dhe fajdetë - Si përfundoi "Ferrari" për fajde?

Një strukturë që dyshohet se është mbështetur nga ish-njerëz të Prokurorisë së Shtetit e edhe policë të Krimeve Ekonomike kishte arritur të ndërtonte një “perandori” të fajdesë, e cila lulëzoi gjatë kohës së pandemisë.

Sipas dosjes së prokurorisë dy autosallone në Prishtinë u shkaktuan qindra mijëra euro dëme viktimave duke u dhënë atyre vetura të shtrenjta në një skemë të fajdeve.

Dosje të tjera të Prokurorisë së Ferizajt janë transmetuar në edicionin e së dielës, 22.03.2026, të emisionit “KALLXO Përnime”, që po ashtu trajton lidhjen e fajdeve me autosallonet.

Kjo dosje përfshin një grup prej 26 personash, të akuzuar se qarkulluan qindra mijëra euro me fajde. Por jo të gjithë lidheshin me fajdetë dhe autosallonet.

Në këtë dosje ndër personat e lidhur me autosallonet është Ilir Vershevci. Ai përfaqëson autosallonin ‘Iliri’ dhe akuzohet se i shiti viktimës 3 vetura me çmime të shtrenjta. Veturat e njëjtë Ilir Vershevci i ribleu me çmim më të lirë.

“I dëmtuari Xh.Sh. është detyruar të blejë nga i pandehuri një veturë të markës “Ferrari” për çmimin prej 160 mijë euro, të cilën ia ka shitur për çmimin prej 120 mijë euro, një veturë të markës ‘’Audi Q8’’ të cilën e ka blerë për çmimin prej 85 mijë euro dhe ia ka shitur për çmimin prej 60 mijë euro, një veturë të markës ‘’Arteon’’ për çmimin prej 28 mijë euro si dhe ia ka shitur për çmimin prej 18 mijë euro, duke pësuar dëm në shuma prej disa mijëra euro” – thuhet në aktakuzë.

Skema e fajdeve në këtë rast përfshinte edhe detyrime të tjera.

Ilir Vershevci akuzohet se e ka detyruar të dëmtuarin Xh.Sh. që ta shesë një pronë në Veternik me çmimin prej 900 mijë euro por në kontratë e kanë shkruar 300 mijë euro.

“Është detyruar që të shesë një pronë të paluajtshme në Veternik me sipërfaqe prej 1 hektar për çmimin prej 900 mijë euro kurse në kontratë për shitblerje të kësaj paluajtshmërie kanë shënuar çmimin prej 300 mijë euro, të cilat para janë transferuar ne xhirollogarinë e J.Sh. dhe menjëherë janë tërhequr për të paguar borxhet për veturat që ka blerë në autosallonin “Iliri”. Kurse shuma e parave prej 600 mijë euro kinse është përdorur nga i pandehuri Ilir për t’i paguar disa borxhe të Xh.Sh. në autosallonet e tjera, duke pësuar dëm i dëmtuari qindra mijëra euro”- përshkruan aktakuza në pikën e dytë për Vërshevcin.

Skema e fajdeve në këtë rast kishte avancuar edhe më tutje.

Vërshevci akuzohet se ka detyruar të dëmtuarin ta shesë një pronë në Fushë-Kosovë për t’i paguar borxhet e veturave në disa autosallone.

“Është detyruar ta shesë një pronë të paluajtshme në Fushë-Kosovë në sipërfaqe prej 900 metra katrorë në të cilën ka qenë i ndërtuar një objekt 3-katësh me çmimin prej 1 milion euro të cilat para i pandehuri i ka përdorur për t’i paguar disa borxhe të Xh.Sh., për veturat që ka blerë në disa autosallone duke pësuar dëm qindra mijëra euro” – potencon aktakuza.

Pika 4 e aktakuzës së Prokurorisë Vërshevcin flet se si i dëmtuari B.B. është detyruar ta blejë një veturë me çmimin prej 110 mijë eurove dhe për borxhin e mbetur prej 60 mijë euro ia ka rritur edhe 30 mijë euro ne emër të fajdesë.

“Në pamundësi për t’i paguar obligimet për fajde është detyruar që të blejë një veturë të markës ‘Range Rover’ për çmimin prej 110 mijë eurove të cilën veturë e ka marrë një person tjetër mirëpo i dëmtuari ka paguar 50 mijë euro, mirëpo në pamundësi për të paguar shumën prej 60 mijë eurove i pandehuri e ka rritur obligimin prej 30 mijë eurove si fajde duke kërkuar nga i dëmtuari 90 mijë euro në emër të çmimit për blerjen e veturës”- përfundojnë pikat e aktakuzës për Ilir Vërshevcin.

Në skemën e fajdeve të cilën KALLXO.com është duke e ekspozuar janë publikuar të dhëna për lëvizjet e dhjetëra veturave të shtrenjta të cilat dyshohet se u përdorën për fajde.

Shyqyri Syla, ish-kryeprokurori i Mitrovicës, sot avokat me profesion, është angazhuar të mbrojë të akuzuarin Ilir Vërshevci.

“Po Ilir Vërshevcin unë e kam klient edhe nuk kisha pasë qejf me folë. Pasi s’ka fillu gjykimi, kjo është arsyeja se jo për tjetër” – ka thënë Syla.

Dosja e Prokurorisë zgjerohet edhe në zona të tjera.

Pas autosalloneve në Prishtinë e Vushtrrisë qarkullimi i fajdeve në autosallone pretendohet se u zhvendos edhe në Ferizaj.

Besnik Salihu është një personazh tjetër në hartën e Prokurorisë për fajde. Ai është pronar i autosallonit “Besa” në Ferizaj.

Siç përshkruan Prokuroria, ai përdori të njëjtën skemë të shitjes së veturave.

“Për shkak të obligimeve ndaj personave të tjerë për fajde, është detyruar të blejë nga i pandehuri një veturë të markës “Range Rover”, e ka blerë për çmimin prej 45 mijë euro dhe ia ka shitur menjëherë për çmimin prej 24 mijë euro. Një veturë “Porsche” të cilën e ka blerë për çmimin prej 85 mijë euro dhe ia ka shitur për çmimin prej 52 mijë euro. Një veturë “ Golf 8” të cilën e ka blerë për çmimin prej 40 mijë euro dhe ia ka shitur për çmimin prej 30 mijë euro, dhe një veturë “Mercedes CLA” të cilën e ka blerë për çmimin prej 16 mijë euro të cilën ia ka shitur për çmimin prej 10 mijë euro, duke pësuar dëm disa mijëra euro”- thuhet në aktakuzë.

Sipas Prokurorisë, lidhja e biznesmenit nga Ferizaj me fajdenë nuk përfundon këtu.

Pika e dytë e aktakuzës e ngarkon Besnik Salihun se i ka shkaktuar dëm pasuror të dëmtuarit S.B. po ashtu gjatë shitblerjeve të veturave dhe paratë i ka bartur tek një person tjerët për llogari të fajdesë.

“Për shkak të obligimeve ndaj personave të tjerë për fajde, është detyruar të blejë nga i pandehuri një veturë “Range Rover” në shumë prej 44 mijë euro të cilën ia ka shitur menjëherë të pandehurit për çmimin prej 28 mijë euro si dhe një veturë të markës “Mercedes” të cilën e ka blerë për çmimin prej 25 mijë euro të cilën ia ka shitur menjëherë të pandehurit për çmimin prej 15 mijë euro, kurse paratë ia ka paguar në emër të fajdesë të pandehurit S.S., duke pësuar një dëm rreth 26 mijë euro” – përshkruhet në pikën dy të aktakuzës.

Hulumtuesit e emisionit kishin kërkuar një koment edhe nga avokati i Besnik Salihut, Arsim Bilalli, por ai nuk kishte komentuar me arsyetimin se nuk i ka ende shkresat e lëndës.

“Për besë komentin, s’e di, s’e di komentin, se ju gazetarët po njoftoheni shumë, shumë, shumë para avokatëve. Me të thanë të drejtën, njoftimin e kam marrë nëpërmjet mediave. S’kam kurrfarë komenti për besë, po më vjen keq” – ka theksuar avokati i Salihut.

Sadri Pllana akuzohet në një pikë të aktakuzës mbi dyshimet se gjatë viteve 2021 dhe 2022 në auto salloni “Betim” pronë e tij ka kontraktuar shuma joproporcionale te pasurisë duke i shitur të dëmtuarit B.G. vetura me çmime të shtrenjta dhe i ka blerë ato me çmime më të ulëta nga ky i dëmtuar.

“Është detyruar që të blejë veturat për t’i paguar obligimet ndaj personave të tjerë dhe fajdetë në atë mënyrë që ka blerë një veturë të markës “Audi A8” për çmimin prej 72 mijë euro të cilën është detyruar që t’ia shesë të njëjtit për çmimin prej 58 mijë euro, një veturë të markës “Audi A6” të cilën e ka blerë për çmimin prej 18 mijë euro të cilën është detyruar që t’ia shesë për çmimin prej 13 mijë euro, një veturë të markës “Mercedes S350”, të cilën e ka blerë për çmimin prej 55 mijë euro të cilën është detyruar që ta shesë për çmimin prej 35 mijë euro, duke pësuar dëm në shumë prej disa mijëra euro”- shkruhet në aktakuzë.

Mbrojtësi i të akuzuarin Sadri Pllana, avokati Xhafer Maliqi, nuk e ka komentuar akuzën ndaj klientit të tij. Edhe ky tha se nuk i ka marrë ende shkresat e lëndës.

“Nuk kam lidhje, nuk di kurrgjë veç e di që Rasimi, ai prokurori, më ka thirrë veç një herë me marrë në pyetje, asnjë veprim kurrë s’e ka bë transparent me avokat, edhe pse kemi kërkesa me marrë pjesë ne veprime hetimore. Unë nuk di as çka po thonë këta. Po, veç ata s’kanë pasë prova”- theksoi Maliqi.

Harta e prokurorisë në dosjen autosallonet dhe fajdetë përfshin edhe një biznesmen tjetër, Fitim Vërshevci.

Edhe ky akuzohet se i ka shitur të dëmtuari B.G. vetura me çmime të shtrenjta dhe i ka blerë përsëri ato me çmime me të lira.

Vetëm në një rast ai kishte shitur veturën e njëjtë me çmim prej 66 mijë euro e të njëjtën e kishte blerë me çmimin prej 40 mijë euro.

“Është detyruar që të blejë një veturë të markës “Audi A6” për çmimin prej 66 mijë euro të cilën e ka shitur për çmimin prej 40 mijë euro, një veturë të markës “Range Rover” të cilën e ka blerë për çmimin prej 56 mijë euro të cilën e ka shitur për çmimin prej 33 mijë euro si dhe disa vetura të tjera duke pësuar dëm disa mijëra euro”- përshkruhet në aktakuzë.

Për ta mbrojtur Vërshevcin është angazhuar ish-gjykatësi dhe tani avokati Driton Muharremi.

Avokati Muharremi nuk ka komentuar duke thënë se nuk është pajisur me shkresat e rastit andaj pa i poseduar ato nuk ka qysh të komentojë.

“Po s’i kam marrë hala shkresat e lëndës, tash besoj brenda dy a tri dite, a një javë, i marr edhe mandej dëgjohemi. Nuk kam kurrgjë kështu zyrtare, kurrgjë s’kam hala” – tha Muharremi.

Biznesmeni tjetër Egzon Salihu akuzohet në pikën e parë se gjatë viteve 2020-2022 në auto sallonin “Lipjani”, pronë e tij, ka kontraktuar shuma joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për persona të tjerë, duke i shkaktuar dëme materiale të dëmtuarit Xh.S.

Akuzat ndaj Salihut janë të ngjashme me të tjerët.

“Për shkak të obligimeve ndaj personave tjerë për fajde, është detyruar të blejë nga i pandehuri, një veturë të markës “Tiguan” në vlerë prej 28 mijë euro të cilën ia ka shitur për çmimin prej 16 mijë euro, një veturë të markës “Range Rover Sport” për çmimin prej 45 mijë ia ka shitur për çmimin prej 32 mijë euro dhe një veturë “Range Rover” tjetër e ka blerë 39 mijë euro dhe ia ka shitur për çmimin prej 28 mijë euro, duke pësuar dëm disa mijëra euro” – thuhet në aktakuzë.

Ashtu si pika e parë edhe pika e dytë e aktakuzës e ngarkon Egzon Salihun po ashtu se gjatë viteve 2020-2022 në autosallonin “Lipjani”, pronë e tij, ka shitur e ka blerë vetura me çmime të ndryshme, duke u shkaktuar dëme materiale të dëmtuarit S.B. ngjashëm si në pikën 1 të aktakuzës.

“Për shkak të obligimeve ndaj personave tjerë për fajde, është detyruar të blejë nga i pandehuri një veturë të markës “Porsche Panamera” për çmimin prej 100 mijë euro të cilën ia ka shitur menjëherë për çmimin prej 60 mijë euro, një veturë “Mercedes CLS” të cilën e ka blerë për çmimin prej 75 mijë euro ia ka shitur menjëherë të pandehurit për çmimin prej 50 mijë euro, një veturë “Audi Q8” të cilën e ka blerë për çmimin prej 90 mijë euro dhe ia ka shitur menjëherë për çmimin prej 60 mijë euro, me të cilat para ka paguar obligimet për fajde tek të pandehurit e tjerë duke pësuar dëm në shumën rreth 100 mijë euro” – vazhdon akuza.

I akuzuari për fajde Egzon Salihu ka vendosur ta angazhojë për ta mbrojtur ish-gjyqtarin Florent Latifaj, tani avokat.

Latifaj ka thënë se nuk di asgjë lidhur me akuzën sepse nuk e ka atë.

“Çfarë komenti me të dhanë kur s’kam pa kurrgjë hala. Jam kanë i kam lypë tek gjykatësi, më ka thanë që duhet me kontrollu një herë me bë kontrollin paraprak të aktakuzës se a është në rregull a nuk është, e tani me ua dërgu. Kam shku te prokurori, tha nuk i kemi gati ende shkresat e lëndës, kemi me i qitë në CD, tani me ua dhanë. Çka kam ni u kanë prej mediave, kurrgjë tjetër send nuk di”- ka theksuar Latifaj.

Në skemën e fajdeve të hetuar nga Prokuroria shfaqen edhe biznesmenët Ajvaz Muzaqi dhe Ardi Saraqi.

Prokuroria i ngarkon ne një pikë të aktakuzës për fajde, ata dyshohen se gjatë viteve 2020-2022 në auto sallonin “Buna M” në Vushtrri i kanë shkaktuar dëme material të dëmtuarit S.B.

“Është detyruar të blejë një veturë e markës “Range Rover” për çmimin prej 50 mijë euro të cilën ia ka shitur për çmimin prej 24 mijë euro, një veturë të markës “S Class” të cilën e ka blerë për çmimin prej 55 mijë euro dhe ia ka shitur për çmimin prej 28 mijë euro, një veturë të markës “Mercedes ML” të cilën e ka blerë për çmimin prej 30 mijë euro dhe ia ka shitur për çmimin prej 16 mijë euro dhe një veturë të markës “Mercedes E Class” të cilën ka a blerë 36 mijë euro dhe ia ka shitur për çmimin prej 17 mijë euro, me të cilat para i ka paguar obligimet për fajde ndaj personave të tjerë, duke pësuar dëm pasuror rreth 100 mijë euro” –përshkruan aktakuza.

Ne kemi kërkuar një koment edhe nga avokati i Ajvaz Muzaqit, Visar Musa.

Ky i fundit e mohon se klienti i tij është marrë me fajde por thot se viktima ka marrë vetura e ka mbetur borxh te klienti i tij.

“Është e vërtetë që Ajvazi ka punu si tregtar i veturave në Vushtrri, në ndërkohë iu ka paraqitur ky klienti si viktimë që po paraqitet, i cili ka blerë vetura në këtë autosallon nja 3 muaj a 4, i ka paguar në mënyrë të rregullt, por nuk janë njohur mes vete, pasi ka fillu pas 3 muaj a 4 mos me ju ndejtë në fjalë obligimeve që i ka marrë kerret, ky ka kërku një takim me këtë klientin, më këtë klientin se qysh më ka njoftu klienti një kohë: Ma ka mbyllë telefonin, s’mu ka lajmëruar. Edhe deri sa e kanë vendos një kontakt me pa çka është arsyeja, kur dalin takohen diku e njofton që në këtë moment pas 3 a 4 muajve, e njofton që ka obligime me fajde që ka marrë tek personat e tretë, katërt dhe kerret e këtij klientit tim, Ajvazit, i ka dhanë njerëzve që ju ka marrë fajde”- potencon avokati Musa.

Ndërsa Ardi Saraqi ka tërhequr autorizimet për avokatët e tij.

Hulumtuesit tanë e kanë thirrur në numrin e tij të telefonit i cili gjendet në shkresat e këtij rasti por ai nuk është lajmëruar e as nuk ka kthyer mesazhet e dërguara në telefonin e tij deri ne publikimin e këtij reportazhi.

Në dosjen e Prokurorisë për fajde është përfshirë edhe biznesmeni Fadil Salihu.

Ai në pikën e parë akuzohet se nga fillimi i muajit maj 2022 e në vazhdim, si pronar i autosallonit “Besa F’’ ka kontraktuar shuma joproporcionale të pasurisë duke i shkaktuar dëme financiare të dëmtuari S.B.

“Në pamundësi që të paguajë këto obligime është detyruar ta blejë një veturë “Range Rover” nga i pandehuri për çmimin prej 45 mijë euro mirëpo për shkak të obligimeve ndaj personave të tjerë është detyruar t’ia shesë të pandehurit për çmimin prej 27 mijë euro, duke pësuar dëm prej 18 mijë euro” – thuhet në pikën 1 të aktakuzës.

Pika e dytë e aktakuzës e ngarkon Fadil Salihun se duke filluar nga fillimi i vitit 2021 po ashtu i ka shkaktuar dëme materiale të dëmtuarit S.B., duke i shitur vetura me çmime të shtrenjta e më pas viktima ia ka shitur ato me çmime me të ulëta.

“I dëmtuari S.B. është detyruar të blejë në autosallonin e të pandehurit një veturë “Mercedes GLS” për çmimin prej 30 mijë euro, të cilin pastaj është detyruar që ta shesë në autosallonin tjetër për çmimin prej 14 mijë euro kurse ka mbetur borxh në shumë prej 30 mijë euro tek i pandehuri F.S.”- thekson aktakuza.

Avokatja Labinota Qosa- Ilazi, e cila në këtë rast figuron se e mbron Fadil Salihun, ka thënë se nuk është pajisur me shkresat e lëndës e as nuk e ka parë aktakuzën. Andaj nuk ka komentuar lidhur me aktakuzën.

Aktakuza e ngarkon edhe Egzon Salihun mbi dyshimin se gjatë vitit 2021 në autosallonin “Besa” në Ferizaj, pronë e tij, ka kontraktuar shuma joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për persona të tjerë.

“Për shkak të obligimeve ndaj personave tjerë për fajde, është detyruar të blejë nga i pandehuri, një veturë të markës “Audi A8” për çmimin prej 37 mijë euro, të cilën të njëjtën ditë ia ka shitur të pandehurit për çmimin prej 20 mijë euro, një veturë të markës “Audi SQ8” të cilën e ka blerë për çmimin prej 55 mijë euro dhe të njëjtën ditë ia ka shitur të pandehurit për çmimin prej 40 mijë euro, si dhe vetura të tjera duke arritur borxhin në shumë prej 250 mijë euro”- thekson aktakuza.

Ne kemi kontaktuar edhe me avokatin e Egzon Salihut, Dardan Hakiun.

Edhe ky komentin e ka pasur të shkurtër.

“Për besë, ne ende nuk e kemi pranuar aktakuzën, hala nuk di çka, unë veç në media që e kam pa d.m.th. që është ngrit aktakuza. Realisht intervista ka qenë pak diçka, ma ndryshe, e pa e pa aktakuzën s’mundem me u deklaru valla. Sigurisht, klienti im e kundërshton këtë, a po e dinë është krejt, d.m.th është kategorik se nuk ka lidhje me këtë çështje”- theksoi avokati Hakiu.

Biznesmeni tjetër Patriot Ismaili akuzohet në një pike të aktakuzës bashke me Egzon Salihun se në muajin shtator të vitit 2022 në bashkëkryerje, me përdorimin e forcës kanë detyruar të dëmtuarin S.B që të veproj në dëm të pasurisë së tij, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm.

“Në atë mënyrë që e kanë detyruar që të blej një veturë të markës Mercedes GL, për çmimin prej 55.000 euro, të cilën veturë i dëmtuari e ka marr nga i pandehuri Patriot Ismaili dhe është detyruar që të ia dorëzoj të pandehurit Egzon Salihu për ti paguar fajdet në shumë prej 20.000 euro”.

Patriot Ismajli nuk ka një avokat për momentin andaj ne kemi kërkuar një përgjigje nga vetë ai i cili e ka mohuar akuzën dhe se ka thanë se të dëmtuarin e këtij rasti e ka pas shok.

“Shok e kam pasë 5 vite kerre i kam shit i kam me dokumete me krejt që kerre i kam shit tash po me akuzon për kurrgjë hiç një punë që se kam bë kurrë në jetë. O vëlla unë i kam shit kerre atij, ja kam shit përmbi 20 kerre, unë ja kam shit kerret atij ai i ka ndërruar me telefona se ka punu me telefona i ka ndrru me telefona tash po me akuzon mua për 10 mijë euro që natë punë që se kam bë kurrë në jetë edhe se bëj. Qysh ai po me akuzon mua kur unë i kam shit kerre ne shumë vlera më të mëdhaja tash ai po me akuzon mua për 10 mijë euro për kurrgjë hiç. Unë i kam edhe kontratat e noterit e i kam krejt që ja kam shit kerret nëpërmjet noterit e krejt”- ka thanë i akuzari Ismajli.

Bashkë me Patriot Ismailin është i akuzuar edhe vëllai i tij Kastrioti, prokuroria atë e ngarkon se e ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale vëllain e tij Patriotin.

“Nga muaji Maj 2023 e në vazhdim ka ndihmuar të pandehurin Patriot Ismajli në kryerjen e veprës penale të fajdesë , në atë mënyrë që pas arratisjes të Patriot Ismajlit me datë 17 Maj 2023, me rastin e zbatimit të një urdhër kontrolli në shtëpinë e tij për shkak të dyshimit të bazuar se do të ketë kryer veprën penale të fajdes , i pandehuri Kastriot Ismajli ka filluar ti marr këstet mujore në shumë nga 500 (pesëqind) euro si fajde nga e dëmtuara F.K sipas marrëveshjes me të pandehurin Patriot Ismajli”- thuhet në aktakuzë.

Flamur Bllacaku, Avokat i Kastriot Ismajlit ka thanë se klienti i itij akuzohet për dhënie të ndihmës.

“Po, Kastriotin për vëllait të tij për dhënie e ndihmës Patriotit. Po për atë e ka veç dhënie të ndihmës e ka edhe pse me kod aty veç është janë këto vepra të cilat as nuk parashihet dënimi të lirohen për dhënie të ndihmës, po nuk e di na s’kemi marrë kurrgjë, as aktakuzë, as kurrgjë” – ka thanë

Ilir Abdullau është i akuzuari i fundit në këtë aktakuzë lidhur me dyshimet e fajdesë me auto sallonet e i cili po ashtu akuzohet se me datë 02 dhjetor 2022 në bashkëkryerje me të pandehurin tjetër kanë kontraktuar një shumë jo proporcionale të parave në këmbim të huas që i kanë dhënë të dëmtuarit G.S.

“Si pasoj e parave që kishte marrë me fajde, nga personat e tjerë u detyrua që të kërkoj hua nga i pandehuri Ilir Abdullahu shumën prej 11.000 eurove për një afat deri më 28.02.2023, me obligim që ti kthej 25.000 euro, mirëpo në pamundësi që ta paguaj shumën e parave që i ka marrë hua si dhe shumën në emër të fajdesë është detyruar që të marr nga i pandehuri Ilir një veturë të markës “Range Rover”, për çmimin prej 130.000 eurove, kurse vlera reale e kësaj vetura ishte rreth 50.000 euro , të cilën është detyruar që ta shet për çmimin prej 47.000 euro një personi të cilin ia ka propozuar i pandehuri, prej të cilës shumë 25.000 euro ia ka paguar të pandehurit Ilir kurse 12.000 euro ia ka paguar të pandehurit O.P, kurse të pandehurit Ilir i ka mbetur borxh shumën prej 130.000 Euro”. –thuhet në aktakuzë.

Mbrojtësi i Ilir Abdullahut, avokati Ramë Dreshaj ka thanë se nuk ka kurrfarë shkresa të rastit dhe se ende nuk është pajisur as me aktakuzën.

“Ju e paskeni marrë aktakuzën, unë s’kam marr kurrgjë, s’di unë, drejtë me të thanë veç më merr në qafë për atë punë, nuk kam unë kurrfarë informacioni”-theksoi Dreshaj./Kallxo.com