Atletico Madridi tallet keq me Barcelonën pas ofertës për Alvarez: Ofruam bileta koncerti, abonim dhe fara për Yamal, Raphinha e Pedri
Atletico Madridi ka reaguar ashpër ndaj spekulimeve që po e lidhin Julian Alvarezin me një transferim te Barcelona, duke zgjedhur një mënyrë ironike për t’i demantuar raportimet.
Sipas mediave, Alvarez është një nga objektivat kryesorë të kampionëve të LaLigës, të cilët synojnë të riformësojnë repartin ofensiv. Gazetari italian Fabrizio Romano raportoi se Barcelona do të ishte e gatshme të paguajë deri në 100 milionë euro për sulmuesin argjentinas.
Megjithatë, Romano shtoi se Atletico e vlerëson Alvarezin mbi 100 milionë euro, ndonëse sipas tij lojtari do të ishte i hapur për këtë lëvizje.
Pas këtyre zërave, Atletico përdori llogaritë zyrtare në rrjetet sociale për të publikuar imazhe të gjeneruara me inteligjencë artificiale të Lamine Yamal, Pedrit dhe Raphinhas të veshur me fanellën e “Rojiblancos” – në stilin e postimeve që Romano kishte shpërndarë më herët lidhur me Alvarez.
Në postimin me Yamal, Atletico shkroi me ironi: “E kryer! I kemi dërguar një faks FC Barcelonës me ofertën tonë të transferimit: Katër bileta për koncertin e Bad Bunny nesër, një abonim njëvjeçar në ABC dhe një qese me fara luledielli. Presim me padurim përgjigjen e tyre që të përgatisim njoftimin”.
HERE WE GO! Hemos enviado un fax al @FCBarcelona_es con nuestra oferta de traspaso: 4 entradas para el concierto de Bad Bunny de mañana, una suscripción anual al ABC y una bolsa de pipas. Esperamos ansiosos la respuesta para preparar el ‘announce’. pic.twitter.com/e0J7mPljHa
— Atlético de Madrid (@Atleti) May 29, 2026
Më pas, klubi madrilen e vazhdoi reagimin me një mesazh edhe më të drejtpërdrejtë:
“Dhe mos harroni, na u deshën vetëm pesë minuta për ta krijuar këtë postim të rremë. Jetojmë në një epokë ku realiteti mund të manipulohet. Mos besoni gjithçka që shihni, sidomos nëse lidhet me Barçën”.
Julian Alvarez iu bashkua Atletico Madridit nga Manchester City në vitin 2024 dhe që atëherë ka qenë një nga pikat më të rëndësishme të skuadrës.
Argjentinasi ka shënuar 49 gola në 106 ndeshje me Atleticon, duke e tejkaluar edhe statistiken e golave të pritur, ndërsa ka kontribuar edhe me 17 asistime./Telegrafi/


