Atiq për masakrën në rrugën e Kovaçëve në Mitrovicë: Kjo masakër e tmerrshme la plagë të thella në zemrat e familjarëve
Gjatë ditës së sotme është përkujtuar 26-vjetori i masakrës në rrugën e Kovaçëve në Mitrovicë.
Në nder të kësaj dite kanë bërë homazhe nënkryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Arian Tahiri, drejtorë të drejtorive, kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, deputeti i LVV-së, Agim Bahtiri, qytetarë dhe familjarë, shkruan Telegrafi.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, ka thënë se kjo masakër ka lënë “plagë të thella” në zemrat e të gjithë familjarëve, të afërmëve dhe qytetarëve të Mitrovicës.
“Kjo masakër e tmerrshme, e kryer më 14 prill 1999, la plagë të thella në zemrat e familjarëve, të afërmve dhe mbarë qytetarëve të Mitrovicës. Sot, bashkë me ta, kujtojmë me nderim dhe respekt të gjithë ata që ranë për lirinë dhe dinjitetin e kombit tone”, ka thënë Atiq.
Atiq ka thënë se e kaluara na obligon të kujtojmë, por edhe të punojmë çdo ditë për paqe, drejtësi dhe zhvillim.
“Lavdi e përjetshme për të rënët!”, është shprehur ai. /Telegrafi/


