Asseco në tregun e TIK në EJL – Investime në Kosovë
Duke hyrë në strukturën e pronësisë së një numri të kompanive në Evropën Jug-Lindore, Asseco SEE filloi me konsolidimin e tregut regjional të TIK në fushën e zgjidhjeve softuerike dhe shërbimeve të integrimit të sistemeve për banka, zgjidhjeve të e-biznesit, aplikacioneve të dedikuara për telekom, për sektorin publik dhe për administratën shtetërore.
Kompania kosovare Pronet është anëtari më i ri që i bashkohet grupit Asseco SEE. Pronet është kompani lidere e TI-së në Kosovë dhe me prezencë të rëndësishme edhe në tregun e TI të Shqipërisë. Pronet specializon në zhvillimin, implementimin dhe integrimin e zgjidhjeve të teknologjisë së informacionit për banka, institucione qeveritare, telekom dhe organizata tjera biznesi. Aktualisht, Pronet punëson rreth 90 veta me orar të plotë pune.
Asseco SEE punëson mbi 900 profesionistë si dhe ka tërhequr një investim të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim – BERZH (EBRD) në vlerë prej 15 milion Euro. Në këtë mënyrë, EBRD është bërë akcionar me 10.2% të pronësisë. Gjithashtu, EBRD ka aprovuar edhe një hua gjashtë-vjeçare për kompaninë në lartësi prej 7 milion Eurove.
Më 28 Tetor të këtij viti, për herë të parë, akcionet e Asseco SEE janë listuar në bursën e Varshavës ne Poloni. Duke shitur 2.1 milion akcione përmes ofertës publike për një numër të investitorëve të kualifikuar, kompania ka siguruar edhe kapital shtesë prej 6 milion Eurove.
Në total, Asseco SEE ka siguruar fonde shtesë prej 28 milion Euro që do të përdoren për rritje dhe zgjerim të mëtejshëm në regjionin e Evropës Jug-Lindore. /Telegrafi/


