Askush si ai në Evropë, Diant Ramaj ka vendosur një rekord të zi
Diant Ramaj është huazuar nga Borussia Dortmund te Heidenheimi, ku aktualisht mban një rekord të padëshiruar në futbollin europian. E ardhmja e portierit 24-vjeçar mbetet tejet e pasigurt.
Në shkurt të vitit 2025, Borussia e kishte transferuar Ramajn nga Ajaxi në një lëvizje disi befasuese dhe e huazoi menjëherë te Copenhagen. Aty, tashmë 24-vjeçari la menjëherë përshtypje të shkëlqyer dhe fitoi “dopietën” me danezët. Klubi do të kishte dashur ta mbante, por Ramaj zgjodhi të kthehej në Bundesliga “për të rritur profilin”, siç u shpreh ai.
Megjithatë, ai kishte tërhequr vëmendje edhe më herët. Më pak se dy muaj pas transferimit te BVB, Ramaj dha një intervistë për Sport Bild që ngjalli jehonë të madhe dhe shkaktoi edhe pak irritim brenda Dortmundit.
“Unë jam talenti më i madh i ri, sipas mendimit tim. Kam thënë se jam portieri më i mirë i brezit të ri dhe e kam dëshmuar këtë në muajt e fundit. E kam treguar gjatë këtyre muajve”, deklaroi ai.
Në këtë aspekt, Ramaj nuk e ka gabim. Pas zëvendësimit të veteranit Kevin Muller, një vendim që bëri bujë për standardet e Heidenheimit, ai është shndërruar në portierin titullar të klubit.
Por situata e ekipit është e vështirë. Heidenheimi ka pësuar 66 gola, duke pasur bashkë me Wolfsburg mbrojtjen më të dobët në kampionat.
Akoma më shqetësues është fakti se Ramaj mban një rekord negativ. Ai është i vetmi portier në pesë ligat kryesore të Europës që ende nuk ka arritur asnjë portë të paprekur këtë sezon.
Rënia nga liga është territor i ri për Ramajn, dhe mbajtja e portës së paprekur është gjithmonë e vështirë kur skuadra ndodhet në fund të tabelës. Këtë e pranoi edhe trajneri i Heidenheimit, Frank Schmidt, disa javë më parë.
“Portieri është gjithmonë në qendër të vëmendjes. Nuk ka qenë e lehtë për të kohët e fundit, por ai mbetet pozitiv, punon pa u lodhur dhe vepron më shumë sesa reagon”, tha ai.
Megjithatë, Ramaj nuk ka qenë i paprekshëm nga gabimet në detyrën e tij kryesore, të ndalojë goditjet. Ai ka pritur pak më pak se 60% të tentimeve në portë, një statistikë që e rendit të 17-in mes portierëve të Bundesligës, pra, i dyti nga fundi./Telegrafi/


