ASK-ja publikon parashikimet e popullsisë dhe profilin e komunave
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka prezantuar dy publikime të reja që dalin nga procesi i regjistrimit të popullsisë: parashikimet e popullsisë dhe profili i komunave, të cilat organizohen për herë të parë në këtë format.
Gjatë prezantimit u theksua se parashikimet e popullsisë ndihmojnë në kuptimin e zhvillimeve demografike në vitet në vijim, ndërsa profili i komunave ofron një pasqyrë krahasuese të zhvillimit lokal mes viteve 2011 dhe 2024.
Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Agon Batusha, vlerësoi se të dhënat e publikuara nga ASK do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në punën e institucioneve lokale dhe planifikimin e shërbimeve publike.
"Agjencia e Statistikave të Kosovës, në raportin për vendin të Bashkimit Evropian për Kosovën, gjithmonë ka nota pozitive dhe i plotëson standardet teknike që i kërkon Bashkimi Evropian. Prandaj, puna e ASK-së është në përputhje edhe me standardet e Bashkimit Evropian dhe na afron më shumë me Bashkimin Evropian në këtë fushë, por gjithsesi edhe ajo që është alfa dhe omega është që na lehtëson punën e secilit vendimmarrës në hartimin e politikave tona", ka deklaruar Batusha.
Edhe eksperti ndërkombëtar, Eduardo Jongstra, ka vlerësuar metodologjinë dhe kredibilitetin e të dhënave të përfshira në këto publikime.
"Këto profile janë mjaft kredibile, sidomos duke marrë parasysh ndryshimet politike e ekonomike të cilat kanë ndodhur në mes të 2011 dhe 2014", ka thënë Jongstra.
Sipas ASK-së, për këto dy publikime janë realizuar gjithsej 56 raporte të bazuara në regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave të vitit 2024. /Telegrafi/


