Please enter at least 3 characters.

Arrestohet shtetasi serb në Kosovë, dyshohet për importim dhe modifikim të kundërligjshëm të armëve

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka arrestuar një shtetas të Republikës së Serbisë, i dyshuar për përfshirje në veprën penale që lidhet me importimin, eksportimin, furnizimin, transportimin dhe prodhimin e kundërligjshëm të armëve të zjarrit.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari me inicialet Z.M. është arrestuar në flagrancë më 22 korrik 2026, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pas hetimeve intensive dhe mbledhjes së provave materiale.

I dyshuari dyshohet se ka kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”, e paraparë me nenin 364 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria ka bërë të ditur se, sipas dyshimeve fillestare, armët e zjarrit janë importuar nga Serbia dhe më pas janë modifikuar në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi.

“Pas hetimeve intensive dhe grumbullimit të provave materiale, i dyshuari është arrestuar në flagrancë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa procedurat hetimore do të vazhdojnë për ndriçimin e plotë të rastit./Telegrafi.