Arrestohet një person në Prishtinë, dyshohet për organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm
Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm.
Sipas Policisë, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, ka zhvilluar hetime lidhur me dyshimet për veprimtari të kundërligjshme të lojërave të fatit.
Gjatë hetimeve është identifikuar një shtetas kosovar, për të cilin, bazuar në provat e siguruara, është ngritur dyshimi i arsyeshëm se ka kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, nga neni 294 i Kodit Penal.
Më 3 shtator, me urdhër të organeve kompetente, policia ka kontrolluar dy lokacione në pronësi të të dyshuarit në Prishtinë. Gjatë kontrolleve, janë gjetur dhe sekuestruar 41 mijë e 655 euro dhe 20 franga zvicerane, dy telefona, një USB, një laptop, 10 vula të ndryshme, 49 kartela gërvishtëse, një veturë dhe prova të tjera që dyshohet se lidhen me rastin.
I dyshuari është arrestuar gjatë aksionit dhe, pas përfundimit të procedurave, me vendim të prokurorit të rastit është dërguar në ndalim për 48 orë.


