Arrestohet 22-vjeçari në Obiliq për kanosje, i konfiskohet një armë AK-47
Policia ka arrestuar sot një person të dyshuar për veprën penale të kanosjes në Obiliq.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 12:30 në rrugën “Fejzullah Preniqi” në Obiliq, ndërsa reagimi i shpejtë i hetuesve policorë të stacionit të Obiliqit ka rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit.
Gjatë arrestimit, policia ka gjetur dhe ka sekuestruar një armë të tipit AK-47.
I dyshuari, Sh.P., mashkull, 22 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.
Ai dyshohet për veprat penale “Kanosje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”.
Hetuesit policorë po vazhdojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të rastit.


