Please enter at least 3 characters.

"Armë e para në Kosovë", mediat zvicerane raportojnë për implikimin e dy shqiptarëve në ISIS

Gazeta zvicerane 24heures.ch, një prej mediave më të njohura në Zvicrën frankofone, ka raportuar për një rast të madh hetimor që përfshin dy shqiptarë – një nga Kosova dhe një nga Maqedonia e Veriut – të cilët dyshohen për mbështetje dhe financim të një grupi të lidhur me Shtetin Islamik (ISIS)

Sipas gazetës, hetimi që po zhvillohet prej disa vitesh në kantonin Vaud është drejt përfundimit dhe konsiderohet si një ndër më të mëdhenjtë kundër terrorizmit në Zvicrën frankofone.

Dy burrat, të moshës rreth 30 vjeç, akuzohen për pjesëmarrje dhe financim të një organizate terroriste. Ata janë në paraburgim prej tre vitesh dhe do të dalin para Gjykatës Penale Federale në Bellinzona më 3 dhe 4 nëntor.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga Prokuroria Federale e Zvicrës, njëri nga të dyshuarit – një 37-vjeçar nga Kosova që jetonte në Gjenevë – kishte rol udhëheqës në një grup të quajtur “Vëllezërit e Vitisë”, me degë në Gjenevë të njohur si “Vëllezërit e Gjenevës”, të cilën ai e drejtonte si “emir” që nga viti 2015.

Grupi dyshohet se ka pasur lidhje ideologjike me Shtetin Islamik dhe ka mbledhur rreth 30 ndjekës, mes tyre edhe persona që më pas u bashkuan me ISIS-in në Siri. Autoritetet zvicerane pretendojnë se “Vëllezërit e Gjenevës” kishin rekrutuar të rinj, përfshirë një 14-vjeçar që kishte refuzuar t’u bashkohej.

Në hetim përmenden edhe imamë radikalë shqiptarë të ftuar në Zvicër nga ky grup, përfshirë Rexhep Memishin – i dënuar më parë në Maqedoni të Veriut për rekrutim të luftëtarëve për ISIS-in – dhe Qëndrim Jasharin, i cili thuhet se kishte lexuar një tekst të zëdhënësit të ISIS-it gjatë një takimi në Gjenevë.

Sipas hetuesve, grupi ishte i mirëorganizuar, me takime të rregullta dhe disiplinë të plotë fshehtësie. Në Kosovë, pjesëtarë të tij dyshohet se kishin fshehur armë dhe municione me synimin për të krijuar një “shtet islamik” në një rajon të caktuar të vendit.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, “Vëllezërit e Gjenevës” kishin dërguar mes 64.000 dhe 78.000 euro në Ballkan për të mbështetur aktivitetet e grupit të lidhur me ta në Kosovë. Një pjesë e këtyre parave dyshohet se ishte përdorur për blerje armësh dhe për tentim ndikimi ndaj prokurorëve kosovarë.

Hetimi zbuloi se të dyshuarit kishin përfituar dhjetëra mijëra franga nga mashtrime me sigurimet shoqërore, ndihma sociale dhe kredi të rreme gjatë pandemisë së Covid-19.

Në rast se shpallen fajtorë, ata përballen me deri në 10 vjet burg dhe me detyrimin për të kthyer fitimet e përfituara në mënyrë të paligjshme, si dhe për të mbuluar mbi 1.4 milion franga zvicerane të shpenzuara në hetim.

Avokatët e tyre kanë refuzuar të komentojnë, ndërsa mbrojtja pritet të kërkojë lirimin e tyre për shumicën e pikave të aktakuzës.