Anglia me surprizë të madhe ndaj Norvegjisë, zbulohet plani i Tuchelit
Përzgjedhësi i Anglisë, Thomas Tuchel, pritet të marrë një vendim të papritur për çerekfinalen e Kupës së Botës ndaj Norvegjisë, duke aktivizuar Ezri Konsan si mbrojtës të djathtë.
Pozita e krahut të djathtë të mbrojtjes është kthyer në një problem për "Tre Luanët" që nga dëmtimi në muskujt e kofshës i Reece James gjatë fazës së grupeve. Që atëherë, Djed Spence, Jarell Quansah dhe vetë Konsa janë provuar në atë rol gjatë tri ndeshjeve të fundit.
Nga këta futbollistë, vetëm Spence është mbrojtës i djathtë natyral. Ai ishte titullar në fitoren 2-1 ndaj Republikës Demokratike të Kongos në fazën e 1/8 së finales, por pati një paraqitje të vështirë në Atlanta.
Mbrojtësi i Bayer Leverkusenit, Jarell Quansah, e zëvendësoi në ndeshjen e fituar 3-2 ndaj Meksikës, por u ndëshkua me karton të kuq direkt në fillim të pjesës së dytë. FIFA më pas ia zgjati pezullimin në dy ndeshje, çka do të thotë se ai do të mungojë edhe në gjysmëfinale, nëse Anglia arrin të eliminojë Norvegjinë.
Si pasojë, Konsa u zhvendos në krahun e djathtë në minutat e fundit të sfidës me Meksikën, ndërsa Anglia mbrojti epërsinë.
Sipas gazetarit të njohur të The Athletic, David Ornstein, Tuchel tashmë ka vendosur t'ia besojë atij këtë rol që nga minuta e parë në çerekfinale.
Raporti shton gjithashtu se John Stones është rikuperuar nga dëmtimi dhe pritet të rikthehet në qendër të mbrojtjes përkrah Marc Guehit.
Në repartin ofensiv, Noni Madueke pritet të zëvendësojë shokun e tij te Arsenali, Bukayo Saka, në krahun e djathtë të sulmit.
Lajme pozitive ka edhe për Declan Rice, i cili është rikuperuar nga problemet me stomakun dhe është gati për të qenë titullar./Telegrafi/


