Please enter at least 3 characters.

Anglia do të luajë në stadiumin e ‘mallkuar’ të Kupës së Botës – dy lojtarë janë ankuar

Anglia mund të përballet me një makth të vërtetë në Kupën e Botës kur të ndeshet me Panamanë në Grupin L, pasi sfida do të zhvillohet në stadiumin e shumëpërfolur “MetLife”, për të cilin disa yje të futbollit botëror kanë kritikuar ashpër cilësinë e fushës.

“Tre Luanët” do ta nisin aventurën e tyre në Botërorin 2026 kundër Kroacisë më 17 qershor në ‘Dallas Stadium’ të Arlingtonit, përpara se të përballen me Ganën më 23 qershor në Boston Stadium.

Më pas, skuadra angleze do ta mbyllë fazën e grupeve ndaj Panamasë më 27 qershor në stadiumin MetLife në New York/New Jersey, arenë që do të presë edhe finalen e madhe të turneut më 19 korrik.

Stadiumi do të mirëpresë gjithsej tetë ndeshje gjatë Kupës së Botës, por tashmë ka tërhequr vëmendje për arsye negative. Pas barazimit 1-1 të Brazilit me Marokun dhe fitores 3-1 të Francës ndaj Senegalit, disa futbollistë të njohur kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për gjendjen e terrenit.

Mesfushori francez, Adrien Rabiot, nuk i kurseu kritikat pas ndeshjes së “Gjelave”.

“Fusha... as nuk e di nëse mund të quhet e tillë. Dukej më shumë si një sipërfaqe artificiale – shumë e fortë dhe e ngurtë”, deklaroi ai.

Pakënaqësi shprehu edhe sulmuesi brazilian Vinicius Junior, i cili theksoi se kushtet e fushës vështirësojnë zhvillimin normal të lojës.

“Në pjesën e dytë, për shkak të nxehtësisë, fusha thahet shumë shpejt. Loja bëhet e ngadaltë dhe ne nuk arrijmë të gjejmë ritmin tonë”, u shpreh ylli brazilian.

Ndeshja e radhës në ‘MetLife Stadium’ do të luhet më 22 qershor mes Senegalit dhe Norvegjisë, ndërsa organizatorët do të jenë nën presion për të përmirësuar kushtet e fushës përpara se aty të zhvillohen takime të tjera të rëndësishme të Botërorit, përfshirë edhe finalen./Telegrafi/