Androidi “jua lexon mendjen”? Funksioni i ri e di saktësisht çfarë do të bëni më pas
Google po prezanton një funksion të ri në Android të quajtur “Contextual Suggestions” (Sugjerime Kontekstuale), i cili përdor inteligjencën artificiale për të parashikuar zakonet dhe veprimet e përdoruesit në bazë të rutinës së përditshme dhe vendndodhjes.
Funksioni analizon mënyrën se si përdoret telefoni dhe më pas ofron sugjerime automatike nga aplikacionet dhe shërbimet. Për shembull, telefoni mund të sugjerojë automatikisht një listë muzikore kur përdoruesi arrin në palestër ose të propozojë transmetimin e një ndeshjeje sportive në televizor në kohën kur zakonisht ndiqet.
Sipas raportimeve, “Contextual Suggestions” aktualisht po shpërndahet në pajisjet Google Pixel 10 me Android 16, ndërsa më vonë pritet të zgjerohet edhe në telefona të tjerë Android. Ky funksion konsiderohet si një version më i gjerë i teknologjisë “Magic Cue” që Google prezantoi fillimisht në serinë Pixel 10.
Google thekson se të dhënat përpunohen lokalisht në telefon, në një hapësirë të enkriptuar, dhe nuk ndahen me kompaninë apo me aplikacione të tjera, përveç rasteve kur përdoruesi jep leje. Përdoruesit mund ta çaktivizojnë funksionin, të kufizojnë përdorimin e lokacionit ose të fshijnë të gjitha të dhënat e ruajtura.
Megjithatë, funksioni ka shkaktuar edhe reagime të përziera në komunitetet online. Disa përdorues në Reddit janë shprehur të shqetësuar për privatësinë dhe faktin që funksioni aktivizohet automatikisht në disa pajisje, ndërsa të tjerë e konsiderojnë një përmirësim praktik për automatizimin e detyrave të përditshme. /Telegrafi/


