Analizë: Besa gjatë stinorit vjeshtor
Stinori vjeshtor i rezervoi Besës pozitën e gjashtë. Me këtë renditje, pejanët nuk u ndanë fortë të kënaqur, çka kanë filluar menjëherë të përforcohen. Goditja e parë e tyre është top-shënuesi i Superligës, Mark Milicaj. Ndryshe, Besa startoi me Valdet Shoshin si trajner, mirëpo ai nuk arriti të qëndrojë më shumë se dy ndeshje. Pas tij, pejanët lidhën ‘martesë’ me Arbnor Morinën, ku në drejtimin e tij, Besa shënoi pesë fitore, katër barazime dhe po aq humbje, raporton SportPlus.
Mbrojtja
Reparti më problematik te kjo skuadër ishte ai i mbrojtjes. Katërshja e vijës së fundit Gentian Mazrekaj, Shpëtim Zhara, Fidan Hasani, Floren Papuqi dhe Fisnik Papuqi nuk i patën punët mirë, pasi Besa pranoi 22 gola për 16 ndeshje. As në portë punët nuk qëndruan mirë edhe përkundër se te ky ekip ishin dy portierë me provojë si Valmir Bytyqi e Flamur Neziri. Ky i fundit shfaqi siguri më të madhe.
Mesfusha
Edhe në vijnë mesfushës pejanët nuk treguan ndonjë gjë të madhe. Mensur Duraku, Ilir Nallbani, Dugagjin Gashi, Florent Qorraj e të tjerët arritën të shënojnë shtatë gola së bashku, duke bërë të mos jenë shumë produktivë. Trajneri, Arbnor Morina pritet të ketë një dimër të ‘nxehtë’ në qoftë se dëshiron që skuadra e tij të rrëmbejë titullin e më të mirit.
Sulmi
Ajo që ‘ndezi’ në këtë skuadër ishte reparti i sulmit. Tandemi Kastriot Rexha – Fatih Karahoda arritën që të kryejnë shumë punë, mbase jo mjaftueshëm. Ata së bashku shënuan 12 gola. Ndryshe, një fjalë e urtë popullore thotë se ‘sulmi është mbrojta më e mirë’ dhe për këtë Arbnor Morina qysh tani ka filluar të mendojë. Besa ka arritur të transferojë golashënuesin më të mirë në Superligë, Mark Milicaj.
Shënuesi
Top-shënuesi i kësaj skuadre është Kastriot Rexha. Ish-sulmuesi i shumë klubeve nga vendi dhe më gjerë ka arritur të realizojë shtatë gola në stinorin vjeshtor.
Të ndëshkuarit
Ajo çfarë duhet të bëjë Arbnor Morina në këtë pushim është që të iu mbajë ligjërata serioze futbollistëve të tij që në pranverë ta reduktojnë numrin e kartonëve. Për 16 ndeshje, futbollistët e ekipit pejan janë zverdhur 48 herë dhe bashke me Hajvalinë prijnë për nga mosdisiplina. Futbollistët më të ndëshkuar janë Gentian Mazrekaj dhe Dugagjin Gashi me nga shtatë kartonë të verdhë, kurse ky i fundit ka edhe një të kuq.


