Analizat e gjakut mund të parashikojnë rrezikun e diabetit të tipit 2 vite përpara
Studiuesit identifikojnë dhjetëra metabolite dhe krijojnë një “nënshkrim” biologjik që parashikon rrezikun e sëmundjes, përtej faktorëve tradicionalë
Studiues nga Mass General Brigham dhe Albert Einstein College of Medicine kanë identifikuar se metabolitet, molekula të vogla në gjak që krijohen gjatë metabolizmit, lidhen me rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2 në të ardhmen. Ata po ashtu kanë zbuluar faktorë gjenetikë dhe të stilit të jetesës që mund të ndikojnë në këto metabolite. Përveç kësaj, kanë zhvilluar një nënshkrim që parashikon rrezikun e ardhshëm për diabet të tipit 2, përtej faktorëve tradicionalë të rrezikut. Rezultatet e studimit janë publikuar në revistën Nature Medicine.
Gjatë analizimit të metaboliteve, u vërtetua se 235 prej tyre kanë lidhje me rrezik më të lartë ose më të ulët për zhvillimin e diabetit të tipit 2.
Diabeti është një sëmundje metabolike që është në rritje në mbarë botën, dhe më shumë se 90 për qind e rasteve janë diabet i tipit 2, ku trupi nuk reagon në mënyrë efikase ndaj insulinës. Në studimin e ri, studiuesit ndoqën 23.634 persona me prejardhje të ndryshme etnike, në 10 grupe prospektive, me ndjekje deri në 26 vjet. Këta persona, në fillim të studimit, nuk kishin diabet të tipit 2. Ekipi analizoi 469 metabolite në mostrat e gjakut, si dhe të dhëna gjenetike, dietike dhe të stilit të jetesës, për të parë se çfarë lidhjeje kanë me rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2. Nga metabolitet e analizuara, u konstatua se 235 lidhen me rrezik më të madh ose më të vogël për zhvillimin e diabetit të tipit 2, prej të cilëve 67 ishin të zbuluar për herë të parë, transmeton Telegrafi.
Ushqyerja, stili i jetesës dhe ndikimet gjenetike
- “Është interesante se zbuluam që faktorët e ushqyerjes dhe të stilit të jetesës mund të kenë ndikim më të fortë te metabolitet e lidhura me diabetin e tipit 2 sesa te metabolitet që nuk lidhen me sëmundjen. Kjo vlen veçanërisht për obezitetin, aktivitetin fizik dhe konsumimin e ushqimeve dhe pijeve të caktuara, si mishi i kuq, perimet, pijet e ëmbëlsuara dhe kafeja ose çaji. Gjithnjë e më shumë prova tregojnë se këta faktorë ushqimorë dhe të stilit të jetesës lidhen me rrezik më të lartë ose më të ulët për diabet të tipit 2. Studimi ynë tregoi se metabolite specifike mund të veprojnë si ndërmjetës potencialë, duke i lidhur këta faktorë me rrezikun e diabetit të tipit 2”,shprehet një nga autorët e studimit, Jun Li, profesor dhe epidemiolog në Mass General Brigham Department of Medicine.
U vërtetua gjithashtu se metabolitet e lidhura me diabetin e tipit 2 janë të ndërlidhur gjenetikisht me karakteristika klinike dhe tipe indesh që janë relevante për sëmundjen. Për më tepër, ekipi shkencor zhvilloi një nënshkrim unik prej 44 metabolitesh, i cili përmirëson parashikimin e rrezikut të ardhshëm për diabet të tipit 2.
Megjithëse këto gjetje të reja ofrojnë njohuri të rëndësishme, studiuesit theksojnë se nevojiten studime shtesë eksperimentale dhe prova klinike për të konfirmuar shkakësinë e këtyre lidhjeve dhe për të sqaruar se si këto rrugë metabolike kontribuojnë në zhvillimin e diabetit të tipit 2. Një kuptim më i mirë i rrugëve biologjike që qëndrojnë pas sëmundjes, siç theksojnë ata, mund të ndihmojë në zhvillimin e trajtimeve të reja. /Telegrafi/


